Kuvendi shkarkon edhe një bord

Aktuale

Kuvendi shkarkon edhe një bord

Më: 21 korrik 2021 Në ora: 13:59

(E plotësuar 17:56) - ​​​​​S’ka kuorum për miratimin e raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas

Kuvendi i Kosovës nuk pati vota të mjaftueshme për ta miratuar raportin vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas. Në mungesë të kuorumit në vendimmarrje, të zgjedhurit e popullit dështuan ta miratojnë këtë raport, pasi vetëm 46 deputetë votuan për, ani pse të pranishëm në sallë ishin mbi 61 deputetë dhe përkrahje në parim i dhanë Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Megjithëse tha se grupi parlamentar i LVV-së e mbështet miratimin e raportit të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, deputeti i LVV-së Adnan Rrustemi tha se mos shtrirja e kësaj agjencie në tërë territorin e vendit është mangësi.

Rrustemi: I japim mbështetje miratimit të raportit

“Megjithëse i japim mbështetje rekomandimit për miratimin e raportit për ndihmë juridike falas, konsiderojmë se është e rëndësishëm të sjellim në vëmendje fushë veprimtarin e kësaj agjencie dhe rëndësinë që ka në ofrimin e ndihmës juridike falas për shtetasit që nuk kanë mjete financiare për angazhimin e avokatëve. Natyrisht se agjencia është përballur me sfida të ndryshime, por duke pasur justifikim për sfidat nuk mund të justifikohet mos zgjerimi i kapaciteteve dhe mos modernizimi i shërbimeve për të ofruar shërbimet”

Përkrahje miratimit të këtij raporti i dha edhe grupi parlamentar i PDK-së, deputeti Hajdar Beqa tha se ekzekutivi duhet ta mbështet më shumë financiarisht këtë agjenci.

Beqa: Është një raport i saktë

“Është një raport i saktë, megjithatë duhet të ketë parasysh se misioni i saj i mundëson gjithë qytetarëve të kenë qasjen ë drejtësi dhe mbrojtje për ata që s’kanë mjete të mjaftueshme”, tha ai.

Me pajtim të grupeve parlamentare seanca përfundoi punimet për sot për të vazhduar me pikat e mbetura në ditët në vijim

***

Ivan Raduloviq dhe Sead Mujoviq zgjedhën anëtarë të Bordit të RTK-së

Kuvendi i Kosovës në seancën e sotme ka zgjedhur dy anëtarët e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) nga komunitetet jo shumicë.

Ivan Raduloviq nga komuniteti serb arriti të sigurojë 77 vota për t’u bërë anëtar i Bordit të RTK-së, ndërsa Sead Mujoviq arriti të jetë pjesë e këtij bordi me 72 vota.

Përzgjedhja e tyre është bërë me votim të fshehtë ndërsa, për zgjedhjen e anëtarit të tretë po vazhdon gara në mes të Dragan Cerkoviq dhe Nelica Velkoviq.

Në votimin e tyre kanë marr pjesë 87 deputetë të Kuvendit të Kosovës. 

***

Nuk ka kuorum edhe për votimin e një marrëveshje tjetër ndërkombëtare

Në mungesë të vendimmarrjes është shtyrë për më vonë edhe votimi i Projektligjit nr.08/L-009 për ratifikimin e amendamentimit nr.1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020, ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj COVID-19”. Në sallë ishin vetëm 76 deputet e për miratim të kësaj marrëveshje ndërkombëtare kërkon 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati tha se me këtë marrëveshje shtohen edhe 25 milionë euro për reagimin emergjent ndaj COVID-19.

Murati: Me këtë projekt shtohen edhe 25 milionë euro

“Përmes këtij amandamentit projektit i shtohen edhe 25 milionë euro të tjera së bashku me 35 milionë euro tashmë të miratuara dhe në zbatim e sipër të arrihet një shumë totale prej 60 milionë eurosh të tëra të dedikuara për sistemin shëndetësor. Përpos financimit direkt të vaksinave dhe procesit të vaksinimit ky financim shtesë pra mundëson të rimbursohet buxheti i Kosovës edhe për shtesat e punëtorëve shëndetësor…Ky financim shtesë po ashtu mbetet i disponueshëm edhe për pajisjet mbrojtëse shëndetësore dhe shpenzime të asaj natyre derisa ndihmojnë menaxhimin e pandemisë“, tha ai.

Shefi i GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka kërkuar të di se për çka do përdoren këto mjete të huazuara nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës.

Hamza: Për çka do përdoren mjetet

“Më tepër problem qëndron në atë se në çka do të përdoren mjetet që do huazohen nga ky institucion është thënë ajo që kjo rimbursim, jo pagesa retroaktive por besoj që për deputet dhe publikun ka nevojë për sqarime më të detajshme”, tha ai.

***

Kuvendi shkarkon edhe bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave

Me 62 vota për, asnjë kundër dhe pa asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka shkarkuar të mërkurën bordin e Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave.

Në votimin në të cilin morën pjesë vetëm deputetët e pozitës u shkarkuan: kryesuesi i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Arsim Berisha dhe anëtarët Gëzim Qerimi, Shkumbin Hyseni dhe Elmi Ahmeti.

***

Në mungesë kuorumi nuk votohet as HERA +

Kuvendi i Kosovës diskutoi të mërkurën edhe për Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShT) dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+)”. Por, sikurse edhe marrëveshjet tjera ndërkombëtare as ky projektligj nuk u votua pasi nuk pati kuorum.

Në mungesë të ministres Arbërie Nagavci, projektligjin në fjalë, para deputetëve, e prezantoi ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili tregoi edhe për ndarjen e financimit.

Ai tha se MAShT siguron financimin e masave plotësuese shumëfishuese të projektit në një shumë maksimale në një shumë maksimale prej 300 mijë euro, dhe do të transferojë kontributin drejtpërdrejt tek partneri implementues i projektit në dy këste.

Murati: Kemi të bëjmë me një bashkëfinancim

“Agjencia Austriake për Zhvillim pajtohet që ta bashkëfinancojë projektin në një shumë maksimale prej 2.5 milionë euro. Pra, kemi të bëjmë me një bashkëfinancim nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës 300 mijë euro, kurse nga ADA 2.5 milionë euro. Në fund, dëshiroj të theksoj se miratimi i kësaj marrëveshje mes MAShT dhe ADA është shumë e rëndësishme për ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë, andaj kërkoj mbështetjen e juaj, në emër të qeverisë së Republikës të Kosovës, që ta ratifikoni këtë marrëveshje, ashtu që t’i hapet rrugë këtij projekti”, tha ai.

Deputetët e opozitës kërkuan sqarime shtesë rreth kësaj marrëveshjeje, teksa kërkuan të dinë nëse është bërë ndonjë analizë për këtë program.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, teksa kërkoi më shumë sqarime lidhur me marrëveshjen e Agjencisë Austriake për Zhvillim për Projektin HERAS+ dhe Ministrisë së Arsimit deklaroi kundërshtimin e PDK-së për këtë projektligj.

Shala pyeti se çka ka përfituar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci nga ky projekt teksa hodhi dyshime për avancimin e tij në këtë post.

Shala: Çka ka përfituar zëvendësministri juaj nga ky projekt

“Do të duhej ta kemi një raport, nuk ka rëndësi se cila qeveri, duhet ta kemi një raport për ta ditur se çka ka përfituar arsimi i lartë, se çka ka përfituar shkenca, çka ka përfituar zëvendësministri juaj nga projekti i parë. Kjo është kollaj me ditë dhe kur të na jepni informacion se a është avancuar një zëvendësministër për shkak të këtij projekti, cili ka qenë roli i tij në fazën e parë të implementimit, çka na ofroi ai apo qeveria për zhvillimin e pjesës së dytë dhe pjesa tjetër nëse është praktikë e keqe edhe nga e kaluara ne do e ndalim, nëse është praktikë me i implementu marrëveshjet ndërkombëtare pa u ratifikuar në Kuvend është gabim”, tha ai. 

***

Tenderët për Sistemin Informativ Shëndetësor përplasin Shkretën dhe Haxhiun

Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar me replika dhe kundër-replika edhe në mes të deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Mirsad Shkreta dhe deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.

Shkreta në fjalën e tij akuzoi PDK-në se si pasojë e udhëheqjes së tyre me sektorin e shëndetësisë qytetarët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore.

Shkreta: Partia në pushtet në atë kohë i ka lënë qytetarët pa sigurime shëndetësore

“Arsyeja pse qytetarët e Kosovës nuk kanë sigurime shëndetësore është sepse nuk ka pasur implementim të sistemit shëndetësor përshkak se partia që ka qenë në pushtet në atë kohë ka qenë pjesë e këtyre aferave korruptive për më tepër ka elemente të krimit të organizuar e kujt i shkon kjo në adresë mos implementimi i sistemit shëndetësor e rrjedhimisht i sigurimeve shëndetësore, besoj që e ka përgjigjen tek grupet të cilat përfitojnë ata të cilët janë edhe këtu në skema por edhe në shtetet e regjionit”, tha ai.

Ndaj kësaj deklarate reagoi deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu i cili tha se nëse e di kush ka kryer afera korruptive le t’i tregoj emrat.

Haxhiu: Tregoj emrat dhe mbiemrat mos u frikëso

“PDK ka udhëhequr me shëndetësinë në dy vite 2017-2019 ministri që ka kërkuar auditmin e SISH-it ka qenë Uran Ismajli, raporti e audimit e kemi votuar në Kuvend dhe nëse dinë zotëri Mirdas se është dikush me emër apo mbiemër i akuzuar për SISH-in urdhëro thuaje me emër dhe mbiemër mos u frikëso mos përgjithëso edhe ne kemi dëshirë me ditë por nëse thua që ky projekt 20 milionësh është keqpërdorur dhe ka përfunduar në prokurori iu lutemi votoni edhe 12 milionë tjera blanko se këto tjera nuk kanë me u keqpërdorur cila logjika”, tha Haxhiu.

Në kundër replikën e tij deputeti nga LVV- tha se nga tenderët për realizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor (SISh) kanë përfituar familjarët e ish kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe familjarët e anëtarëve të kryesisë së këtij subjekti politik.

Shkreta: Nga tenderët për SISh kanë përfituar familjarët e Veselit dhe anëtarëve të kryesisë së PDK-së

“Emri dhe mbiemri është partia në pushtet që ka qenë në kohën kur kanë ndodhur keqpërdorimet dhe nuk përzihem në çështjet e prokurorisë, por një gjë mund ta bëjë publike në mes të Kuvendit që tenderët për realizimin e Sistemit Informativ Shëndetësor i kanë marr familjarët e ish kryetarit tuaj dhe anëtarëve të kryesisë të Partisë Demokratike të Kosovës kështu që më qartë se kaq dhe më drejtë se kaq nuk ka”, tha ai.

Nuk ka kuorum as për votimin e marrëveshjes bilaterale me Luksemburgun

Në mungesë të kuorumit është shtyrë për më vonë votimi edhe i Projektligji për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II). Derisa pozita ofroi mbështetje për këtë projektligj, mbështetja mungoi nga partitë opozitare. Për miratimin e kësaj marrëveshje nevojiten 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Vetëm 70 deputetë kanë marr pjesë në votim.

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati kërkoi që ky projektligj të mbështetet nga 2/3 e deputetëve sepse kjo ndikon në ngritjen e cilësisë së shërbimeve dhe shtimit të kapaciteteve të institucioneve shëndetësore.

Murati: Projekti do të mundësoj ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore

“Mbështes zbatimin e programit që Qeverisë së Kosovës për sektorin e shëndetësisë me theks të veçantë në reformimin e sektorit të shëndetësisë, në riorganizimin e sektorit të shëndetësisë dhe objektiv strategjike ruajtje dhe përmirësimi i shëndetit. Kontributi i projektit do të mundësoj në ngritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, ngritjen e kapaciteteve institucionale përfshirë ato menaxheriale dhe performancën e institucioneve shëndetësor”, tha ai.

Ky projektligj për mbështetje shëndetësore mori mbështetje edhe nga grupi parlamentar të mazhorancës. Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku tha se ky projektligj ka rëndësi të madhe për përkrahjen e sistemit shëndetësor.

Kollçaku: Kërkojmë të miratohet ky projektligj

“Të miratohet projektligji për amendamentin e të marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), dhe nën 2 në cilësinë e kryetare arsyetimi është i shkurt sepse komisioni vlerësoi se projektligji ka rëndësi të madhe për përkrahje të sistemit shëndetësor të Kosovës dhe kërkon nga Kuvendi miratimin e tij”, tha ajo.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza tha se nuk mund të votojnë këtë projektligj pasi, sipas tij, në këtë mënyrë po rritet borxhi publik.

Ai po ashtu tha se partitë në pushtet nuk po i ofrojnë sqarimet e kërkuara opozitës.

Hamza: Për momentin nuk mund t’i përkrahim këto marrëveshje financiare ndërkombëtare

“Derisa nuk ndërron ky pozicion dhe kjo gjendje dhe ky pozicion i partive shumicë në pushtet GP i PDK-së sigurisht se nuk mundet me i përkrahë. Ne kemi të drejtë si opozitë me i kërkuar sqarimet e nevojshme të secilës marrëveshje. Nëse rritet borxhi publik 500 milionë euro, rreth gjysmë miliardi, atëherë sigurisht se kjo mund të ketë impakt edhe në rritjen ekonomike të vendit. Mirëpo çka ndodh mbas 3-4 vjetëve[...]Ne prej partive shumicë në Kuvend nuk po mundemi me i marrë sqarimet e nevojshme. Ndoshta dikujt munden me iu duk kërkesat tona shumë, por për momentin me nuk mund t’i përkrahim këto marrëveshje financiare ndërkombëtare”, tha ai.

Projektligjit për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II), nuk u përkrah as nga grupi parlamentar i AAK-së.

Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri kërkoi të di se ky program a mund të jetë barrë për buxhetin e Kosovës.

Tahiri: Seanca e Kuvendit janë shndërruar në seanca për shkarkim

“Kërkesa jonë për ministrinë është që bashkërisht me përfaqësuesin tonë në Komisionin për Buxhet, Lekaj të shohim se a është ky program në korniza buxhetore a është program që lehtëson apo është program që i jep peshë dhe barrë më të madhe dhe lehtësimit të programeve në fjalë. Ne në sallë nuk i kemi as 80 deputetë dua të ngrisë edhe tek ju edhe tek shefja e grupit parlamentar të LVV se a po duam me vendos vetëm për të mos u votua apo kemi synim me i votua këto marrëveshje ndërkombëtare[...]Kryeministrit Kurti i kam thënë ju e keni fuqinë shumicë në Kuvend por fuqia e opozitës jo vetëm tek marrëveshjet ndërkombëtare por edhe për shumë tema nacionale iu nevojitet, është bërë ky Kuvend dhe këto komisione parlamentare janë kthyer në seanca të shkarkimeve”, tha Tahiri.

Ndërsa ministri Hekuran Murati tha se me këtë marrëveshje nuk rritet borxhi publik, por kontributet.

Sipas tij opozita po e përdorë këtë vetëm si pretekst para qytetarëve për mos votimin e këtyre marrëveshjeve.

Murati: Po e përdorni si pretekst para qytetarëve për mos votim

“Zotëri Tahiri që tha se këto duhet të reflektohen në buxhet është vetëm pretekst para qytetarëve për mos votimin e këtyre marrëveshjeve që kanë të bëjnë me sektorin e shëndetësisë që është investim shumë i nevojshëm”, tha ai.

Hamza kritikon ministrin Vitia: Disa ministra janë lazdruar, kanë nevojë për disiplinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka kritikuar ministrat e kabinetit qeveritar për mungesën e tyre në seancat e Kuvendit të Kosovës.

I pakënaqur me mungesën e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për të dhënë sqarime shtesë në seancën plenare ku po diskutohet për Projektligjin për amendamentimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim ‘KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II)’, Hamza i quajti “të lazdruar” disa nga ministrat e kabinetit qeveritar.

Ai theksoi se si opozitë duan të dinë për çka dhe si do të përdoret marrëveshja në fjalë.

Hamza për Vitinë: Nuk e din peshën e institucionit të ministrit, ka nevojë me e disiplinu dikush

“Për marrëveshjen aktuale po kërkojmë sqarime për çka dhe qysh do të përdoret[...]Unë po shoh këtu do ministra kanë nevojë kapak me i disiplinu, me pas dikush me i disiplinu, me e ditë që e kanë në përshkrim të vendit të punës me qenë serioz. Nuk po i referohem në këtë rast ministrit të Financave, por do tjerëve të lazdruar që nuk e dinë nivelin e peshës se çka është institucioni i ministrit. Prandaj, derisa sillen me këtë injorancë, me këtë mosdije, me këtë papërgjegjshmëri, është bukur vështirë me u arrit konsensus edhe për çështje të rëndësishme”, tha ai. 

Kuvendi sërish pa kuorum, shtyhet për më vonë votimi i marrëveshjes me Bankën Evropiane

Kuvendi i Kosovës nuk ka as sot kuorum për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se pika për “Ratifikimi i amandamentitmit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10” do të shtyhet për më vonë.

Bogujevci: Shtyhet pika për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane

“Vitimi 08/L006 për ratifikimin e amandamentitmit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime për financimin e projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10 Për shkak që prapë mungon kuorumi këtë pikë do ta shtyjmë më vonë”, tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat