Gazetarja shqiptare hedh dyshimet për “Minishengenin Ballkanik”: Gjithnjë e më larg BE-së, por edhe SHBA-së

Aktuale

Gazetarja shqiptare hedh dyshimet për “Minishengenin Ballkanik”: Gjithnjë e më larg BE-së, por edhe SHBA-së

Nga: M.L. Më: 22 korrik 2021 Në ora: 16:47
Foto nga takimi

Gazetarja Sonila Meço nëpërmjet një postimi në Facebook komentoi sot takimin ndërmjet kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, atij të Maqedonisë, Zoran Zaiev si dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ku u diskutua për “Minishengenin Ballkanik”.

“Në facebook-un e kryeministrit maqedonas sot një entuziazëm i veçantë shoqëronte foton e mëposhtme me këto fjalë:

“Këtë mëngjes pata takim produktiv kushtuar përgatitjeve për Forumin Ekonomik të Bashkëpunimit Rajonal, që, së bashku me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, do ta organizojmë në Shkup më 29 korrik, duke u ndërlidhur edhe më shumë, për të lehtësuar dhe përmirësuar jetën e të gjithë qytetarëve tanë. Ky është një Ballkan i ri, europian.” Bëhet fjalë për përvijimin e marrëveshjes së ashtuquajtur “Minishengen Ballkanik” me argumentin se investimet prej Procesit të Berlinit mund të tërhiqen më mirë sesa si shtete të ndara. Një rajon me 18 milionë banorë do të përfitonte më shumë kësisoj”, theksoi ajo.

Mirëpo sipas saj, fakti që marrëveshja nënshkruhet mes 3 shteteve (Ballkani Perëndimor ka edhe tre të tjerë) lë pikëpyetje mbi efiçencën e bashkëpunimit.

Po ashtu ajo përmendi faktin se Kosova sërish refuzon të bëhet pjesë e marrëveshjes.

“Kur shqiptarët janë të shpërndarë në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur të gjejnë një marrëveshje mes tyre, a mund t’i besohet një projekti që kënaq rivalët e tyre dhe popullsi të kombësive të tjera? (Rivalë e thashë me delikatesë, sepse njëri nga shtetet e Marrëveshjes së Shengenit nuk njeh ende njërin shtet shqiptar dhe minon rregullisht ekzistencën e tij) E treta, Kryeministrja e Serbisë nuk u prit në Amerikë nga asnjë zyrtar i lartë në vizitë zyrtare kur vetëm pak muaj më parë liderët serbë ishin protagonistë në Shtëpinë e Bardhë në marrëveshjen e normalizimit ekonomik. Një zot e di ç’mendojnë sot aty për atë marrëveshje dhe këto në vijim”, shtoi ajo.

E katërta, sipas gazetares Meço është fakti që ende nuk ka një ide të qartë të produktit të marrëveshjeve ekzistuese rajonale, se qëllim lëvizje të lirë njerëzish, mallrash e shërbimesh kishin.

“Patën sukses? Pse nuk rinovohen? Dështuan? Pse, çfarë nuk funksionoi? Por në 2020 u nënshkrua marrëveshja e Tregut të Përbashkët rajonal, me prezencë të plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor me të njëjta objektiva që burojnë nga Procesi i Berlinit, mbështetur edhe nga vendet e BE-së. Pse brenda një viti një marrëveshje e re me gjysmat e vendeve të Ballkanit Perëndimor?”

Ajo theksoi se shqiptarët e rajonit, të shpërndarë në gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimor vështirë se u janë gëzuar projekteve ndërlidhëse.

“Si Shqipëri morëm shumë herë më pak se Serbia nga fondet e Procesit të Berlinit. Dhe me logjikë të thjeshtë marrëveshjesh përcaktohet qartë kush do të jetë përfituesi më i madh. Ju kujtoj vetëm rrjetin infrastrukturor të Serbisë në projektin Beograd 2015-2025. Ndonjë projekt rajonal që i bie udha nga ne sikur s’kemi dëgjuar... Por le të besojmë atë që thotë Zaev: “Ky është Ballkani i Ri europian”…Gjithnjë e më larg BE-së, por edhe SHBA-së, por çoç duhet të dinë këta lidera, se nuk ia fusin kot, jo!, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat