​PDK nuk merr pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Aktuale

​PDK nuk merr pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

Më: 28 korrik 2021 Në ora: 15:58
Foto nga vendi i ngjarjes

Partia Demokratike e Kosovës nuk do të marrë pjesë në seancën plenare ku në rend dite është votimi i marrëveshjeve ndërkombëtare. Këtë e ka bërë të ditur deputetja Blerta Deliu-Kodra, e cila në një konferencë për media ka kritikuar partinë në pushtet për rishikimin e buxhetit të cilin e miratoi kuvendi sot. Sipas saj, rishikimi i buxhetit nuk i adreson interesat dhe shqetësimet e qytetarëve.

Deputetja e PDK-së ka thënë që si rezultat i shqetësimeve që kanë ngritur sa i përket rishikimit të buxhetit, kjo parti nuk merr pjesë në seancën e sotme plenare.

Deliu-Kodra: PDK nuk merr pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare

“Tash po pritet të fillojë seanca plenare e paraparë për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, Partia Demokratike e Kosovës, si rezultat i këtyre shqetësimeve, për shkak të rritjes së borxhit publik e në dëm të qytetarëve të Kosovës, e për shkak që kjo qeveri ndan mjete për të rritur lluksin e saj e të zyrtarëve të saj e dëmton qytetarët e Kosovës, ne si subjekt politik nuk do të marrim pjesë në seancën për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka thënë Deliu-Kodra.

Lidhur me rishikimin e buxhetit, Deliu-Kodra tha se i njëjti nuk i adreson as pikat që vet qeveria i ka paraparë në programin e saj.

Sipas saj, nuk ka një plan të qartë për mbështetje të qytetarëve për rimëkëmbje ekonomike.

Deliu-Kodra: Me rishikimin e buxhetit janë diskriminuar komunat

“Kemi parë që ka një tendencë për diskriminim të komunave, ku nuk qeveris Lëvizja Vetëvendosje dhe këtë e kemi thënë edhe sot në seancë, vërehet që në rishikimin e buxhetit në ato komuna ku nuk qeveris Lëvizja Vetëvendosje apo partia në pushtet vërehet një diskriminim i qartë dhe një tendencë që ky buxhet, ky rishikim i buxhetit të orientohet dhe të jetë pikë së pari qëndrim që të destinohet për fushatën e zgjedhjeve lokale e cila pritet të mbahet në muajin tetor”, ka thënë ajo në një konferencë për media.

Ajo ka thënë se me rishikimin e buxhetit, partia në pushtet nuk ka ofruar bashkëpunim me opozitën.

Deliu-Kodra: Përmes rishikimit të buxhetit po rritet borxhi publik

“Përmes këtij rishikimi të buxhetit po rritet edhe borxhi publik, një gjë e tillë është rrezik për qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e përgjithshëm shoqëror e shtetëror. Njëkohësisht ne kemi parë edhe një tendencë të qartë për keqpërdorimin e parasë publike, e dini të gjithë rastin e tiketës ngjitëse prej 5 euro, vendim të cilin e tërhoqi qeveria, apo kontratat e panumërta burimore që i kemi bërë të qarta gjatë gjithë kohës në qëndrimet tona, me çrast qindra mijëra euro të taksa paguesve të Kosovës po shkojnë në të preferuarit e partisë që është në pushtet”, ka shtuar ajo.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 69 vota për kanë miratuar projektligjin mbi ndarjet buxhetore, për buxhetin e Kosovës për vitin 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat