Helmi i madh ndërshqiptarë për të luftuar Albin Kurtin

Aktuale

Helmi i madh ndërshqiptarë për të luftuar Albin Kurtin

Më: 11 gusht 2021 Në ora: 18:47
Albin Kurti dhe Edi Rama

E gjithë kjo luftë e madhe që ka nisur në Tiranë për të ashtuquajturën çështe “Bregoviç” apo për t’u viktimizuar si i sulmuar nga “nacionalistët”, nuk ka asnjë arsye tjetër përpos luftës ndaj Albin Kurtit.

E gjitha kjo nuk do të kishte nisur nëse Edi Rama nuk e ka një objektiv politik sulmin dhe dëmtimin e kryeministrit të Kosovës.

Kur në 14 shkurt, Albin Kurti erdhi në pushtet me një platformë krejt  ndryshe nga ajo e Hashim Thaçit për dialogun me Serbinë, Edi Rama  do të duhej ta përkrahte këtë platformë dhe së bashku të punonin që ajo të merrte sa më shumë mbështetje ndërkombëtare. Ose të paktën të mos e provokonte siç e bën me nisma ndërkombëtare që shërbejnë si një thikë pas shpine ndaj kryeministrit të Kosovës.

‘Open Ballkan’, apo minishengeni nuk është tjetër veçse një nismë rajonale, ku Serbia do të ketë gjithmonë vendin më të rëndësishëm, e nëse do të konretizohet, do të marrë pjesën e luanit.

Por, Tirana zyrtare, një gjë kishte në dorë, që të kushtëzonte pjesëmarrjen e saj në këtë organizëm me pranimin e njohjen e Kosovës, ndryshe e gjitha duket se është një karshillëk.

Gjithashtu, nëse Rama do ta kishte në zemër e të sinqertë dëshirën për të ndihmuar Kosovën, le të çonte në ‘Open Ballkan’ një përfaqësim të ulët, siç bëri me Nismën e Berlinit, ku në Vjenë në takimin e kryeministrave të Ballkanit dërgoi ministren Belinda Balluku.

Jo, ai shkon vetë, pasi e konsideron këtë zhvillim politik një rreshtim i qartë, që përballë ka Albin Kurtin. Të cilit synon t’ja bëjë jo të suksesshëm platformën e dialogut, idetë e zbatimit të saj dhe konceptin e një Ballkani të paqtë.

Pra Edi Rama, ka krijuar një perceptim në kancelaritë e huaja, ku kemi dy frymë ndër shqiptarë: atë të butë të Edi Ramës, dhe atë radikale të Albin Kurtit.

Në këtë mënyrë, ndërkombëtarët bisedojnë me të dy, por në fakt do të duhet të ishte krejt ndryshe: Edi Rama duhet të pranonte të gjithë qëndrimet e qeverisë së Kosovës, e në këtë mënyrë i vetmi interlekutor për shqiptarët do të ishte Prishtina. Edhe në rastin e ‘Open Ballkan’, Tirana nuk duhet ta kishte vijuar këtë aventurë, kur ka Prishtinën kundër, por jo vetëm atë por të gjitha forcat politike shqiptare këtej e matanë kufirit. Po mirë, edhe sikur të gjithë të ishin budallenj e vetëm Babloku i mençuri i dynjasë, këtu ka një problem.

Që zgjidhet vetëm me takimin e arritjen e një konsensusi me të gjithë. Por qëllimi i Edi Ramës nuk është arritja e një konsensusi me Albinin e forcat e tjera shqiptare, por ta rrëzojë nga pushteti kryeministrin e Kosovës, siç bëri në 2020-n. Jo më kot në media serbe prej disa ditësh kanë dalë shkrime të shumta që thonë se shumë shpejt Albin Kurti do të rrëzohet nga qeveria.

Por këtë herë, gjërat janë krejt ndryshe, e kjo duket hapur, Albin Kurti ka ardhur si vullnet i njerëzve dhe jo i konjukturave të disa salloneve, ndaj dhe është i fortë politikisht.

Kjo luftë e Edi Ramës, është e rrezikshme jo se thjesht njëri nga të dy pra o ai o Kurti do të dëmtohen nga të shtënat, porse dëmin e më të madh e pësojnë shqiptarët nga ky intoksikim kaq i madh i mjedisit prej paçacureve e sharjeve ndërshqiptar, shkruan Pamfleti. Ndaj opinioni publik duhet të kërkojë urgjent që të paktën lufta  ndërmjet shqiptarëve të ndalohet menjëherë, le të bëjë sherr vetëm Edi Rama, madje edhe duel me Albin Kurtin, aty e ka.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat