Rreziku i krisjes së madhe Kosovë - Shqipëri

Aktuale

Rreziku i krisjes së madhe Kosovë - Shqipëri

Më: 12 gusht 2021 Në ora: 17:48
Edi Rama dhe Albin Kurti

Kemi arritur në javën e tretë të një përplasjeje të egër verbale ndërmjet shqiptarësh që realisht ka nxjerrë në “breg” një krizë mes Tiranës dhe Prishtinës.

Krizë që ka filluar në verën e vitit 2019, por që është thelluar e thelluar, deri sa ka ardhur në një pikë vlimi sot, ku jemi në një gjendje me mjaft helm që ka hyrë në dejet e furnizimit të gjakut të strukturës kombëtare, duke infektuar aq shumë, sa vreri ka zëvendësuar arsyen.

Kjo përplasje po largon gjithnjë e më shumë, jo njerëzit, pasi këtë nuk mund ta bëjnë dot, por po çakordojnë institucionet, duke i dhënë Beogradit një përparësi të madhe.

Ndërkohë që Aleksandër Vulin flet për “botën serbe”, bota shqiptare është e përçare në dy qendrat më të rëndësishme nevralgjike që janë Tirana e Prishtina.

Po si arrihet kjo? Mjafton një vullnet i palëve, por edhe mos qoftë i të dyve, të paktën njërit.

“Telenovela Bregoviç” u mor vesh që ishte një “provokacje” e pastër e Edi Ramës. Ta injorojmë, ta lëjmë në “shenjtninë” e tij, duke e kthyer atë event në një skutë periferike që realisht nuk se ndikon apo duhet të ndikojë.

Është i dëmshëm? Padyshim, por duket hapur që Bregoviçin e ka sjellë Rama pikërisht për këtë, le ta bëjë! Por nuk mundet që ai të sjellë botën vërdallë e të hapë një hendek të madh, ku serbët të shfrytëzojnë rastin për të vënë duart mbi vragat tona.

Nuk ka përse të vijojë më kjo lojë e rëndë, e cila nuk sjell asnjë përfitim për askënd.

Ka dy rrugë, ose realisht të ngrihen nisma qytetare për ta demaskuar misionin e Ramës, e për ta kthyer në iniciativë politike, ose nuk mund të vijohet kështu. Të paktën të ndalohen sulmet e ndërsjellta për të gjetur probleme mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Probleme mund të gjesh në çdo çift, probleme mund të gjesh në çdo familje, në çdo fis, fshat apo qytet, e jo më në dy vende, pjesë e strukturës kombëtare, të cilët për gati një shekull kanë qenë të ndarë nga njëri-tjetri.

Nuk ndikon as një këngë serbe e kënduar në një lokal të Sarandës, apo edhe vetë Bregoviçi në Korçë për të prishur zemrat e shqiptarëve, që në këto 20 vjet kanë nisur ta njohin e të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Politika e Prishtinës dhe e Tiranës, nëse nuk i bëjnë dobi një mbrothtësie kombëtare, duhet ta ndalojë urgjentisht dëmin i cili po kris çdo ditë më shumë truallin kombëtar. E për çfarë? Kush është më patriot se tjetri?

Qënia patriot tregohet me vepra e jo me fjalë, madje fjalët në këto raste vrasin më shumë kur i qarkullojnë pa doganë. Megjithatë, gjithçka që po ndodh këto ditë është tepër, sa ka bajatur këdo që i dëgjon. Dikush ta marrë përsipër t’i thotë ndal kësaj “masakre mediatike”, të paktën ne si opinion publik…Pamfleti

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat