Dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj/Djali i Ukshin Hotit i reagon ashpër Odaloviqit

Aktuale

Dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj/Djali i Ukshin Hotit i reagon ashpër Odaloviqit

Nga: M.L. Më: 16 gusht 2021 Në ora: 21:51
Andin Hoti

Kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti i ka reaguar Sekretarit të Përgjithshëm të Asamblesë Kombëtare të Serbisë, Veljko Odaloviqit.

Rikujtojmë se Odaloviq deklaroi sot që “Kudo që ishin amerikanët, ata u larguan nga ai vend, dhe Prishtina duhet të mendojë për këtë”.

Hoti me këtë rast i është drejtuar Odaloviqit duke i thënë: Sapo ma ngacmove plagen e pashëruar! (Mua dhe mijëra qytetarëve të Republikës së Kosoves)

“Sapo mi kujtove masakrat e panumërta, përdhunimet, krematoriumet, vrasjet me mënyrat më çnjerëzore që njeh historia ndaj grave, fëmijëve e pleqve civil në gjenocidin e fundit në Kosovë nga ju! Sapo mu paraftyruan djegja e njerëzve të gjallë e të vdekur nga Ushtria, Policia, e paramilitarët serb, vetëm PSE ishin Shqiptar!”, u shpreh Hoti.

Sipas Hotit, Odaloviqi me deklaratën e tij ridëshmoi fjalën dhunë tek të zhdukurit me dhunë.

“Sapo ma ri-dëshmove fjalën 'dhunë' tek të zhdukurit ME DHUNË! Sapo ma zbehe shpresën se një ditë, për hirë të humanizmit, megjithatë do të provoni të gjeni një pikë njerëzore tek vetja, duke na treguar se ku janë edhe 1632 persona të zhdukur me dhunë, duke na i lehtësuar sado pak dhimbjet që na ndjekin kudo tash e 22 vite!”, theksoi ai.

“Sapo ma kujtove se deri ku mund të shkojë mëndja e vepra e 'njeriut'!

Ende pa bërë as edhe një hap të vetëm për tu shkëputur nga mendësia kriminale e Millosheviçit, ende pa kërkuar falje, ende pa dhënë përgjigje për fatin e 1632 personave të zhdukur me dhunë në Kosovë, ju guxoni të na shkelni mbi plaget tona të luftës dhe të KËRCËNONI haptas se 'mos të ishte Amerika, ju do të vazhdonit krimet çnjerëzore ndaj popullit tonë'”, vazhdoi ai.

Sipas Andin Hotit, serbët guxojnë ta tregojnë fytyrën e tyre edhe 22 vite pas luftës.

“Ju guxoni të tregoni fytyren tuaj haptas, se megjithëse kanë kaluar 22 vite, mendësia juaj nuk ka ndryshuar, dëshira për masakra është ende në gjakun tuaj. Por... sapo ma kujtove që njeriu për të arritur lirinë, është GJITHMONË në gjendje të sakrifikoj edhe jetën! Njeriu nuk ka ku të shkoj përtej atdheut të vet”, theksoi Hoti.

Ai potencoi se Amerika nuk ka urrejtje ndaj serbëve, përkundrazi, Amerika lufton kudo në botë për të drejtat e njerëzve, nga padrejtësitë që u bëhen prej kriminelëve si Millosheviçi.

“Prandaj, nëse jo për hirë të humanizmit, pse jo për hirë të popullit tuaj, nuk arrini të ndryshoni mendësinë tuaj dhe ta çlironi edhe popullin e Serbisë nga epiteti që keni marrur kudo në botën demokratike si 'Dhunues e Kriminel'? Çfarë faji ju ka populli juaj? “, nënvvizoi ai.

Andin Hoti përmbylli shkrimin e tij me një mendim të babait të tij, veprimtarit të pagjetur, Ukshin Hotit.

Çfarë faji ju ka populli juaj?

"Një Serbi që e mban të pushtuar Kosovën nuk është as vetë e lirë. Liria e vërtetë e Kosovës është një premisë themelore edhe për lirinë e vërtetë të Serbisë. Kosova për Serbinë është kulti i robërisë së vetvetes, nëse nuk bëhet shans i lirisë dhe i evropianizimit të saj të ardhshëm.” – Ukshin Hoti (Të cilin ende sot e mbani peng)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat