Mbi 10 mijë raste aktive

Aktuale

Mbi 10 mijë raste aktive

Më: 17 gusht 2021 Në ora: 23:43
Ilustrim

Ditët e fundit janë rritur në shifra alarmuese rastet e reja të të infektuarve me COVID-19, duke bërë që autoritetet të mobilizohen për marrjen e masave të reja në luftë kundër kësaj pandemie.

Ministria e Shëndetësisë, në raportin e fundit 24-orësh bëri të ditur se janë kryer 9 mijë e 581 testime, nga të cilat një mijë e 765 kanë rezultuar pozitive.

Gjatë kësaj periudhe janë shënuar edhe pesë viktima.

Rritja e rasteve të reja me COVID-19 ka bërë që brenda një periudhe shumë të shkurtër, rastet aktive të shkojnë në 10 mijë e 183.

Duke e parë trendin e rritjes së infektimeve, Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të martën mbajti konferencë për medie.

Në këtë konferencë, Vitia ka prezantuar masat e reja për të luftuar COVID-19, masa të cilat priten që të miratohen nga Qeveria.

Mbyllja e klubeve të natës, zvogëlimi i orarit të lokaleve të gastronomisë dhe kufizimet për mbarëvajtjen e dasmave, janë ndër masat e reja që janë propozuar nga MSH-ja.

Meqenëse një numër i madh i të infektuarve janë me variantin Delta, ministri Vitia tha se situata është serioze, andaj kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

Vitia njoftoi se do të rekrutohet staf i ri, që përfshin një mijë punonjës shëndetësor, ndërsa bëri të ditur se qendrat e vaksinimit do të punojnë edhe të shtunën.

Të gjitha masat e propozuara pritet që të miratohen nesër nga Qeveria dhe nga e premtja të hyjnë në fuqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat