Media boshnjake: Gjermania nuk e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur”

Aktuale

Media boshnjake: Gjermania nuk e përkrah iniciativën “Ballkani i Hapur”

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 18:05
Rama, Vuçiq dhe Zaev

Kjo nismë rajonale, e cila deri vonë quhej edhe “Mini Shengen”, kuptohet në Berlin si një pykë në rrotat e procesit të Berlinit.

Pavarësisht perceptimit në një pjesë të Ballkanit Perëndimor, qeveria gjermane nuk e mbështet nismën “Ballkani i Hapur”, u konfirmua për median politicki.ba nga disa burime diplomatike në Berlin dhe Bruksel.

Një deklaratë e fundit nga Ministria e Jashtme Gjermane ku thuhej se ata mbështesin “çdo formë të bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor” u interpretua në Tiranë kryesisht si mbështetje për një asociacion që përfshin Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë.

Ndërsa, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova dhe Mali i Zi e kanë kundërshtuar deri tani këtë projekt.

Qëllimi i kësaj nisme është të lidhë rajonin e Ballkanit Perëndimor sa më afër që të jetë e mundur, në mënyrë që të jetë më i gatshëm për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian. Arritja me e madhe e kësaj nisme deri më tani është heqja e kostove të roaming brenda gjashtë vendeve të rajonit tonë.

Në Samitin e Procesit të Berlinit në Sofje vitin e kaluar, ministrat e brendshëm dhe të sigurisë të Bosnje dhe Hercegovinës, Serbisë, Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje të udhëtimit brenda rajonit me vetëm letërnjoftime. U nënshkruan gjithashtu marrëveshjet për heqjen e të gjitha barrierave doganore dhe pengesat në shkëmbimin falas të punës. Por ende nuk ka asgjë nga kjo.

Ndërsa Procesi i Berlinit dhe Bashkimi Evropian, i cili e mbështet ketë dhe është i gatshëm të investojë miliarda euro përmes tij, po luftojnë për te zbatuar ato që u nënshkruan, ndërkohë hapet “Ballkani i Hapur”, një projekt që është shumë më i vogël se Procesi i Berlinit.

Dhe “Ballkani i Hapur” nuk ekziston në dokumentet e BE-së.

“Është e rëndësishme që bashkëpunimi në rajon të jetë i hapur dhe të përfshijë të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ne mbështesim planin e veprimit për tregun e përbashkët rajonal që u ra dakord në samitin e Procesit të Berlinit në nëntor 2020 në Sofje. në samitin e fundit të Procesit të Berlinit, i cili u mbajt më 5 korrik me ftesë të kancerales federale, krerët e shteteve dhe qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor riafirmuan përpjekjet e tyre për të zbatuar këtë plan të rëndësishëm. Detyra më urgjente për momentin është përfundimi i negociatave për katër marrëveshje që lidhen me lirinë e lëvizjes së udhëtarëve me karta identiteti, hyrjen në vend, lirinë e lëvizjes dhe qëndrimit të shtetasve të vendeve të treta, pastaj njohjen e lejeve të punës për mjekët, dentistët dhe arkitektët si dhe njohjen e diplomave universitare, në mënyrë që te arrihet përparimi deri në samitin BE-Ballkan Perëndimor më 6 tetor”, tha diplomati i lartë gjerman për politicki.ba.

Në një intervistë për portalin, ai përpiqet të injorojë “Ballkanin e Hapur”. Në vend të kësaj, ai tërheq vëmendjen për aktivitetet diplomatike të Gjermanisë, institucionit të BE-së dhe Sllovenisë, e cila mban presidencën e BE-së deri në fund të vitit.

Samiti i 6 tetorit në Slloveni, i cili duhet të bashkojë udhëheqësit e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, u pa si një mundësi për të realizuar premtimet e bëra vitin e kaluar, tashmë të nënshkruara. Problemi, megjithatë, qëndron te Serbia, e cila nuk e pranon pjesëmarrjen e Kosovës si shtet.

Dhe për Prishtinën zyrtare, ky është minimumi nën të cilin ata nuk duan të shkojnë, shkruan politicki.ba.

Është interesante se në Bruksel e Berlin, e kuptojnë dhe e përkrahin këtë qëndrim të qeverisë së Kosovës.

Megjithatë, duke e bllokuar Kosovën si shtet, Serbia po pengon zbatimin e marrëveshjes për udhëtime falas në rajon me vetem kartën biometrike identiteti. Për këtë arsye, Bosnja dhe Hercegovina nuk mund të heqë regjimin e ashpër të vizave me Kosovën, si dhe anasjelltas.

“Në Bruksel jane të indinjuar jo vetëm me Aleksandar Vuçiqin, por edhe me Edi Ramën. Koketimi i tij me idetë e mëdha shtetformuese, po shkakton gjithnjë e më shumë negativitet, na u tha në Bruksel”, shkruan kjo media boshnjake.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat