Spahiu: Me Planin e Ahtisarit i është njohur komunës së Mitrovicës së Veriut të ketë në menaxhim spitalin dhe universitetin

Aktuale

Spahiu: Me Planin e Ahtisarit i është njohur komunës së Mitrovicës së Veriut të ketë në menaxhim spitalin dhe universitetin

Më: 20 gusht 2021 Në ora: 18:33
Nexhmedin Spahiu

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu ka folur sa i përket ndërtimit të objektit të universitetit paralel në Mitrovicën e Veriut me financim të Serbisë, duke thënë se edhe me Kushtetutën e Kosovës, por edhe me Planin e Ahtisarit i është njohur komunës së Mitrovicës së Veriut të ketë në menaxhim spitalin dhe universitetin.

Spahiu tha se është çështje tjetër se sa ky institucion i respekton ligjet e Kosovës dhe sa është nën menaxhimin e Ministrisë së Arsimit, por që sipas tij në një mënyrë është një universitet legal.

Sipas tij, investimet e tilla nga ana e Serbisë në Kosovë nuk do të duhej të bënin shqetësim për qytetarët përderisa ato para hyjnë në Kosovë.

“Nuk është hera e parë dhe e fundit që Serbia investon në Kosovë dhe kjo nuk do duhej të bënte shqetësim për qytetarët përderisa paratë të hyjnë në Kosovë. Kjo është një çështje që kurdo që të ketë një qeveri më të zotë, kur të ketë një qeveri që ka kapacitete për ta menaxhuar vendin atëherë ajo qeveri do t’i menaxhojë edhe këto resurse”, është shprehur Spahi.

Më tej, Spahiu tha se ky universitet funksion tash e 22 vite, por tani po bëhet fjalë vetëm për objekt, e që ndërtimi i tij është vetëm një investim material.

Spahiu ka kritikuar edhe institucionet e Kosovës duke thënë se disa funksionojnë si duhet e disa jo.

“Disa funksionojnë si duhet e disa jo. Disa nuk funksionojnë se nuk dinë e disa se nuk duan sepse janë të paguara nga shërbimet sekrete serbe e tash ec e dije se kush është budalla e kush është tradhtar në këtë mes. Prandaj, është krijuar një tollovi të cilën e ka shkaktuar gjendjen e cila ekziston”.

“Secila prej institucioneve duhet ta kryej punën e vet, prej policisë e deri tek arsimi dhe ti kenë gjërat nën kontroll, por disa institucione nuk e kryejnë punën e tyre si duhet për shkakun se ose frikësohen, ose janë të paguara nga shërbimet sekrete serbe ose janë budallenj”, është shprehur Spahiu, 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat