​Hapet Seminari për Gjuhën, Kurti: Mësimi i shqipes në mërgatë mbetet faktor i rëndësishëm

Aktuale

​Hapet Seminari për Gjuhën, Kurti: Mësimi i shqipes në mërgatë mbetet faktor i rëndësishëm

Më: 23 gusht 2021 Në ora: 13:10
Albin Kurti

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka filluar sot edicionin e 39 ku si çdo herë ka bërë bashkë me Prishtinë studiues të albanologjisë dhe studentë nga e gjithë bota.

Programi i seminarit është i larmishëm duke pasur si bosht gjashtë tema kryesore për tri sesione shkencore por edhe një numër të konsiderueshëm të referimeve dhe të ligjëratave të rregullta në ditët e seminarit.

Temat kryesore në sesionin e gjuhës do të jenë “Struktura e shqipes së vjetër” dhe “Shqipja dhe variaritetet e saj”. Në letërsi, temat kryesore do të jenë: “Vetmia dhe veçimi në letërsinë shqipe” dhe “Mësimdhënia e letërsisë në mijëvjeçarin e ri”. Ndërkaq, në sesionin e kulturës temat kryesore do të jenë: “Roli i medias në periudhën e infodemisë” dhe “Fake news në epokën e vetëkomunikimit”.

Në organizmin që shënoi hapjen e kësaj ngjarje që vlerësohet si më e rëndësishmja në albanologji, ka marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili foli për sfidat e shqipes, në letërsi e kulturë, ku u zotua edhe për mbështetje institucionale.

Kurti: Mësimi i shqipes në mërgatë mbetet faktor i rëndësishëm

“Drejtshkrimi dhe leksiku janë dobësuar nga tre shkaqe, e para shkëputja e sistemit arsimor për shkak të ndarjes së shqiptarëve në pesë shtete, duhet të mendojmë këtu edhe arbëreshët e Italisë, për shkak të aparteid serb, për shkak të çoroditjes së arsimit gjatë dekadave të fundit, e dyta mësymja e teknologjive dhe mediumeve të tyre, sidomos thjeshtimi dhe rrallimi i shkrimit që kërkohet, dhe e treta fakti që pjesa më e madhe e shqiptarëve janë larguar prej trojeve në këto tri dekadat e fundit pa përfshirë ata që kanë shkuar më herët. Ne duhet pra të synojmë shkencën më të lartë të shqipes, por edhe pedagogjinë më krijuese dhe më operative të saj kudo që janë shqiptarët. Natyrisht që këtu mendohet si faktor i fuqishëm mësimi i shqipes nga mësuesit tanë në mërgatë dhe shqipja si disiplinë në universitete të huaja. Ne zotohemi për përpjekje maksimale dhe besoj që bashkërisht edhe sukseset nuk do të na mungojnë”, ka thënë Kurti.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti ka thënë se ky seminar është një prej forumeve më të rëndësishme në promovimin e aspekteve të veçanta që karakterizojnë gjuhën, letërsinë dhe kulturën albanologjike shqiptare.

Sahiti: Seminari i Gjuhës ka arritur të mbledh albanolog nga Evropa dhe bota

“Që nga themelimi i tij, ky aktivitet gjuhësor dhe kulturor ka mbajtur gjallë interesin e të huajve për përvetësimi ne gjuhës dhe kulturës sonë por edhe për fakti në periudhat më të rënda ka arritur të mbledh rreth vetës albanolog nga Evropa dhe bota dhe në këtë mënyrë përveç ruajtjes, kultivimit dhe zhvillimit të albanologjisë, ka qenë shumë i frytshëm në dhënien e kontributit të veçantë të ndërkombëtarizimi, përpjekjeve tona për liri, demokratizim dhe zhvillim të kombit tonë”, ka thënë ai.

Ndërsa drejtori i seminarit, Shkumbim Munishi duke e shpallur të hapur këtë edicion të seminarit, ka theksuar se ky organizim do të nxjerr në pah të arritur studimore.

Munishi: Seminari do të nxjerr në pah të arritura studimore në gjuhë, letërsi e kulturë shqiptare

“Jam i bindur se kjo ngjarje e rëndësishme për studimet albanologjike, në të cilin tash e 47 vjet kanë kaluar figurat më të ndritura të studimeve albanologjike nga e mbarë bota, do të nxjerr në pah të arriturat e tjera studimore, në fushë ne gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqiptare, duke ndikuar drejtpërdrejt që zinxhiri i studimeve albanologjike mos të shkëputet edhe në këto rrethana të jashtëzakonshme, aq më tepër, seminari është ngjarja më e madhe që po organizohet në këto përmasa, në këto hapësira , mbase kështu seminari po bëhet një ogur i mirë që gradualisht po i kthehemi mënyrës së zakonshëm të të punuarit, dhe se gradualisht po e lëmë prapa këtë situatë të rëndë”, ka thënë ai.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare do të mbahet në Prishtinë deri me 3 shtator ndërsa organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat