Ra edhe kjo vrasje e po shihemi përsëri!

Aktuale

Ra edhe kjo vrasje e po shihemi përsëri!

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 23 gusht 2021 Në ora: 18:41
M.O.

Ka disa ditë që median në Kosovë e kanë “vërshuar” informacionet mbi gjendjen në Afganistan. Talebanët kanë marrë nën kontroll këtë shtet, derisa gratë po konsiderohen të jenë kategoria më e persekutuar nga regjimi i ri.

Përditë kemi parë lajme për vrasje të grave në këtë vend. Po vazhdojmë të shohim gra të frikësuara që i bëjnë thirrje botës që t`i kthejë sytë nga to. Nuk ndihen të sigurta as nëpër shtëpitë e tyre dhe nga momenti në moment presin t`iu trokasin në derë burrat e regjimit të ri, për t`i martuar me zor, për t`i përdhunuar e madje edhe për t`i vrarë.

Në një gjendje të tillë duket të ketë qenë edhe vajza 18 vjeçare nga Ferizaj e cila u vra dje në mënyrën më mizore të mundshme. Mbase ajo nuk ka pritur që një ditë partneri i saj do të egërsohet deri në atë shkallë sa t`ia marr jetën pa asnjë pikë mëshire.

Sipas familjarëve, ajo nuk kishte treguar asnjëherë se njeriu me të cilin kishte zgjedhur ta kalonte jetën ishte i dhunshëm. Por, megjithatë prindi i 18 vjeçares kishte vënë re se kur ajo fliste merrte një lloj miratimi me sy nga partneri i saj për çdo gjë që thoshte.

Duket se familjarëve vetëm tash kur krimi i tmerrshëm ndodhi, iu ra ndërmend për sjelljet e vajzës dhe “dhëndrit” të tyre të ri. Mbase më herët e kanë marr si të mirëqenë që gruaja duhet të marr leje nga burri i saj për të folur, për të shkuar diku, për t`i folur dikujt e dikujt tjetër jo..

Në këtë mënyrë rritet vajza shqiptare, ani pse jetojmë në kohën epokën më moderne.

Që në vegjëli asaj i mësohet se fjala e burrit është ligj, ndërsa ajo nuk është gjë tjetër veçse zbatuese e këtij ligji.

Vrasja e 18 vjeçares ia hapi sytë me zor kësaj shoqërie, të paktën për të reaguar në rrjetet sociale. Se këtu tek ne duhet të ndodhin rastet më të rënda për të nxitur reagimin e përgjithshëm.

Në raste të tjera, askush nuk brengoset për fatin e gruas që i zihet fryma nga patriarkati mizor.

Vrasjet e grave mbesin vetëm statistika, derisa fjala e drejtësisë nuk është e dukshme siç do të duhej të ishte.

I dyshuari për vrasjen e 18 vjeçares ishte recidivist i shumë veprave penale.

“Referuar kërkesës tuaj për të dhëna, ju njoftojmë se pas verifikimit në regjistrat tanë, personi në fjalë (D.K) është recidivist i veprave të ndryshme penale si “Vjedhje e rëndë”, “Lëndim i lehtë trupor” “Kanosje”, “Lëndim i rëndë trupor” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhen në përgjigjen e Prokurorisë së Ferizajit.

Po i njëjti person në profilin e tij në rrjetet sociale tregonte “trimërinë” duke postuar fotografi me armë në dorë. Shoqëria e shihte por zgjidhte heshtjen, organet e drejtësisë po ashtu.

Të paktën këto të fundit kur e kanë ditur të kaluarën e tij kriminale është dashur që t`i marrin për bazë këto fotografi për të marr masa.

Por, drejtësia jonë nuk e bën një gjë të tillë. Kujtojmë se shumë gra në Kosovë janë vrarë nga burrat e tyre, ndonëse kanë pasur urdhër-mbrojtje të Policisë.

Ra edhe kjo vrasje e po shihemi përsëri shtet i dashur!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat