1 mijë e 132 raste të dhunës ndaj gruas në gjashtë muajt e parë të këtij viti

Aktuale

1 mijë e 132 raste të dhunës ndaj gruas në gjashtë muajt e parë të këtij viti

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 16:48
Dardan Krivaqa

Gjykata Themelore në Ferizaj i caktoi të mërkurën masën e paraburgimit prej një muaji personit me inicialet D. K. nën dyshimet për vrasje të rëndë të një vajze 18 vjeçe në këtë qytet.

Gjykata në arsyetimin e saj tha se “ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 22 gusht 2021, në Ferizaj në banesën e tij, me dashje, në mënyrë mizore për motive të ulëta, një natë përpara ka ushtruar fillimisht dhunë psikike pastaj edhe dhunë fizike e cila ka vazhduar edhe ditën kritike, derisa e ndjera ka ndërruar jetë”.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se “i dyshuari D.K. së bashku me të pandehurin tjetër A.S., i cili është arrestuar të hënën, e kanë dërguar viktimën në spitalin e Ferizajt pa shenja jete.

“I pandehuri A.S. gjatë gjithë kohës ka qenë i pranishëm, në vendin e ngjarjes dhe ka marrë pjesë në ushtrimin e dhunës fizike dhe psikike, me këtë ka kontribuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në kryerjen e veprës penale”, thuhet më tej në njoftim.

Vrasja e së dielës ka nxitur reagime të shumta dhe debate mbi punën e sistemit të drejtësisë në mbrojtjen e jetës së grave në Kosovë.

Të martën grupe qytetarësh dhe përfaqësues të shoqërisë civile hodhën bojë të kuqe dhe vezë në drejtim të ndërtesës së gjykatës, policisë dhe prokurorisë, duke kërkuar drejtësi për këtë rast.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha të mërkuren gjatë mbledhjes se qeverisë se vrasja e vajzës 18 vjeçare flet për gjendje të jashtëzakonshme shoqërore në vend.

“Viktimën e njohëm nga humbja e saj, nga dhuna që u ushtrua mbi të, ndërsa të dyshuarin për vrasjen e saj nga biografia e tij. Kjo është gjendja jonë shoqërore e jashtëzakonshme, një indiferencë e përgjithshme nga rrethi shoqëror dhe organet e drejtësisë, e instaluar ndër vite e vite ka bërë që në kokat tona të mbeten emra grash viktima të një dhune të tmerrshme”, tha zoti Kurti.

Ndërkaq ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media të mërkuren kërkoi dënim maksimal ndaj kryesve të vrasjes.

“Ky rast e ka vëmendjen e shtuar të qeverisë, ndonëse jemi të vetdijshëm për ndarjen e pushteteve sepse për këtë vendosë gjykata, por si qeveri e Kosovës kërkojmë dënim maksimal për kriminelët që kanë kryer atë vrasje makabre”, tha zonja Haxhiu.

Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar një mijë e 132 raste të dhunës ndaj gruas, 22 më shumë se në periudhën e njejtë të vitit të kaluar kur u regjistruan një mijë e dhjetë raste. Sipas policisë në vitin 2020 janë raportuar 7 vrasje të grave, ndërsa në gjashtë muajt e parë të këtij viti, 2 vrasje. Por, organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave në vazhdimësi thonë se ky numër nuk pasqyron gjendjen reale meqë edhe më tutje dhuna në familje në Kosovë konsiderohet si problem që duhet të mbetet brenda mureve të shtëpisë./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat