Mërgimtarë, vaksinohuni, Kosova ju pret përsëri verën tjetër

Aktuale

Mërgimtarë, vaksinohuni, Kosova ju pret përsëri verën tjetër

Nga: Mimozë Lakna, Bota sot Më: 27 gusht 2021 Në ora: 17:52
Foto ilustrim, Aeroporti Adem Jashari

Pushimet verore janë në mbarim e sipër. Kaluam një verë përplot gjallëri. Pas dy viteve mungesë për shkak të CoVID-19, shumë shqiptarë nga diaspora patën mundësinë e artë që t`i shihnin përsëri familjarët e tyre.

E themi fjalën “e artë” sepse jo të gjithë arritën që t`i gjejnë të gjallë më të dashurit e tyre në Kosovë.

Për dy vite rresht, Koronavirusi bëri kërdinë, duke marr jetë njerëzish si një fantazmë e filmave horror.

“Të lindur për së dyti” mund t`i quajmë ata që arritën të triumfojnë në luftën me këtë fantazmë.

Jeta iu kthye normalitet gjatë muajve maj, qershor e deri në fillim të gushtit. Dasma e dëfrim pa fund përjetuam të gjithë.

Por, fatkeqësisht ditët e zymta u kthyen. Tani Kosova po përballet me nga dy mijë të infektuar në ditë dhe dhjetëra të vdekur.

Nuk dihet se kush e solli variantin “Delta” në Kosovë, sepse hyrje daljet gjatë verës dolën jashtë kontrollit.

Mediat e shteteve të perëndimit në vazhdimësi po shkruajnë për shkallën e ulët të vetëdijesimit për vaksinim në Kosovë. Madje, ka ankesa të shumta se spitalet atje po mbushen me plot shqiptarë, të cilët kanë refuzuar t`i marrin vaksinat.

Është paska absurde të mendohet se ka shqiptarë p.sh në Zvicër të cilët e kanë përparësinë t`i marrin dy vaksinat më të mira kundër virusit Korona, Moderna dhe Pfizer-Biontech dhe nuk i marrin ato.

Në këtë mënyrë rrezikojnë shëndetin e tyre, të afërmit e tyre dhe një shoqëri të tërë. Spitalet Zvicerane janë mbushur me shqiptarë të sapo kthyer nga Kosova dhe kjo është bërë temë diskutimi e medieve të këtij shteti.

Omer Xhemali (Dzemali), shef i kirurgjisë së zemrës në Spitalin Triemli, në një intervistë për tagesanzeiger.ch ka shfaqur shqetësimin e tij, pasi shumë shqiptarë janë shtrirë në këtë spital.

Dr. Xhemaili nuk sheh arsye për të mos u vaksinuar.

“Është e vërtetë se te ne në Spitalin Triemli janë të shtrirë relativisht shumë persona me origjinë shqiptare, të cilët sapo janë kthyer nga pushimet, fjala është për persona të moshave të ndryshme. Konsideroj se është e papërgjegjshme të mos vaksinohesh. Si mjek unë nuk shoh arsye për të mos u vaksinuar. Por skepticizmi ndaj vaksinimit nuk ekziston vetëm te komuniteti shqiptar, për fat të keq ky skepticizëm është gjerësisht i përhapur. Edhe në Zvicër kuota e vaksinimit e personave që kanë marrë dy doza është ende shumë e ulët – në shumë kantone nën 50 për qind”, u shpreh ai në këtë intervistë.

Sigurisht që vizita e familjes gjatë verës është gjë shumë e bukur, veçanërisht pas periudhës së pandemisë, por edhe pushimit i humbë kuptimi nëse përfundoni në spital e aq më rëndë nëse humbni jetën ju apo më të dashurit tuaj.

Pra shqiptarë të dashur, kini mendjen pasi vaksinimi ju mbron nga korona dhe gjithashtu mbron njerëzit përreth jush.

Të gjithë duhet ta marrim sa më seriozisht përgjegjësinë shoqërore që kemi para vetës.

Sa më shumë shqiptarë në diasporë të jenë të vaksinuar, aq më të sigurt mund t`i vizitojnë të afërmit e tyre në Kosovë.

Nëse doni që edhe vera e ardhshme të jetë po aq e hareshme sa fillimi i kësaj që po e lëmë pas, mos hezitoni ta merrni vaksinën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat