​Infermierët paralajmërojnë protesta, duan miratimin e ligjit për paga e ligjit për infermierët

Aktuale

​Infermierët paralajmërojnë protesta, duan miratimin e ligjit për paga e ligjit për infermierët

Më: 30 gusht 2021 Në ora: 15:42
Foto nga vendi i ngjarjes

Sindikata e infermierëve, Oda e Infermierëve dhe shoqatat e infermierëve të psikiatrisë, neurologjisë, dhe shoqata të tjera kanë paralajmëruar se gjatë muajit shtator posa të ulen rastet me COVID-19, do të mbajnë protesta për të realizuar kërkesat e tyre, e të cilat janë miratimi i ligjit të pagave dhe ligji për infermierët.

Të njëjtit e kanë quajtur fyes vendimin e Qeverisë së Kosovës që të marrin shtesa në pagë prej 60 euro, shumë të cilën deklaruan se e kanë refuzuar.

Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Përparim Berisha, tha se nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre derisa ata të marrin dritën e gjelbër nga institucionet përgjegjëse.

Berisha: Protesta do të mbahet sapo të bien rastet

“Kërkesat e infermierëve të Kosovës janë që qysh tani ne të hyjnë në një protestë dhe të vazhdojmë me protesta dhe në grevë, por për shkak të situatës në të cilën ndodhet vendi dhe për shkak të të infektuarve të shumtë, e kemi pa edhe dje kemi pasur 36 raste të vdekjes, ne vendosëm që varësisht prej situatës gjatë këtij muaji të jemi në kontakt edhe me Odën e Infermierëve dhe shoqatat e infermierëve t’i harmonizojmë qëndrimet tona, protesta do të mbahet sapo të bien rastet”, tha ai.

Ai tregoi edhe cilat janë kërkesat e infermierëve të Kosovës, derisa tha se është fyese vendimi i Qeverisë së Kosovës që të marrin shtesa prej vetëm 60 euro.

Berisha: Kërkesë e jona është të shtyhet përpara ligji për pagat dhe i infermierëve

“Ne nuk kemi kërkuar shtesa asnjëherë, ne kemi kërkuar që të shtyhet përpara ligji i pagave, na kanë premtuar që muaji tetor veç do të fillojë puna për ligjin e pagave, ne kemi kërkuar edhe ligjin e infermierëve sepse sot infermierët nuk e dinë saktë se çka duhet punuar, punojnë shumë punë edhe të cilat nuk iu takojnë...Ne i kemi refuzuar për shkak se këto janë fiks tri ndërrime të natës të infermierëve që edhe ato janë shumë të ulëta, merreni me mend një infermier që kujdeset për pacientët me COVID-19 deri në 27 pacientë paguhet vetëm 18 euro për 12 orë punë gjatë ndërrimit të natës. Kjo është e mjerueshme”, tha ai.

Mbështetje protestës i ka dhënë edhe Oda e Infermierëve të Kosovës. Kryetari i kësaj ode, Naser Rrustemi, tha se kërkesat e infermierëve janë legjitime dhe duhet të plotësohen.

Rrustemi: Infermierët e kanë merituar të shpërblehen, por jo të ofendohem me një shtesë 60 euro

“Kërkesat kanë qenë të vazhdueshme qoftë në shtimin e infermierëve, pastaj edhe në kërkesat tjera duke filluar prej ligjit të pagave, ligjit të infermierëve, si dhe tani e dini që është bërë një padrejtësi më të vërtetë që nuk e kanë merituar infermierët, po infermierët kanë merituar shume më shumë në mënyrë që ata të shpërblehen, por jo në këtë rast të ofendohen me një shtesë 60 euro. Do të jemi në përkrahje të sindikatës dhe të shoqatave në tërësi, ne sot morëm vendim së bashku me sindikatën me shoqatat në mënyrë që gjatë shtatorit ne do të organizojmë protestë dhe në këtë protestë në asnjë moment nuk do të tërhiqemi deri në realizimin e të gjitha kërkesave”, tha ai.

Kryeinfermierja në repartin e Nefrologjisë, Hasime Zeneli, u shpreh se është një gjendje e mjerueshme në QKUK, derisa theksoi se punon me një numër shumë të vogël të infermierëve.

Po ashtu, ajo tregoi se i gjithë stafi i këtij reparti kanë refuzuar shtesat prej 60 eurove të ndara nga Qeveria e Kosovës.

Zeneli: Është një gjendje e mjerueshme le të themi në QKUK

“Është një gjendje e mjerueshme le të themi në QKUK, unë punoj me një numër shumë të vogël. Shumica e infermierëve janë nëpër COVID, pagesa është e vogël, ligji i pagave nuk po merret, andaj jemi për protestë...Krejt e kemi refuzuar, tri ndërrime të natës faktikisht është 60 euro. Asnjë punëtorë i jemi nuk e ka pranuar, i ka refuzuar çdo punëtorë”, tha ajo.

Mbështetje për të organizuar protestë ka dhënë edhe Shoqata e Mamive, për çka kryetarja Magbule Elezi tha se shpreson që institucionet përgjegjëse do të reflektojnë dhe do të realizojnë kërkesat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat