Nxënësit mbesin pa dokumentacion pasi mbyllet shkolla, kanë një thirrje urgjente për krerët e shtetit

Aktuale

Nxënësit mbesin pa dokumentacion pasi mbyllet shkolla, kanë një thirrje urgjente për krerët e shtetit

Nga: G.B Më: 31 gusht 2021 Në ora: 15:42
Albin Kurti, Vjosa Osmani dhe Glauk Konjufca

Shkolla fillore “Asllan Thaçi” në Karaçevë është mbyllur. Kjo shkollë numëron 100 nxënës.

Tani, për shkak të mbylljes, nxënësit e klasës së IX-të nuk mund të marrin dëftesat, që të vazhdojnë shkollimin në shkollat e mesme.

Kështu ka bërë të ditur për gazetën “Bota sot”, Selver Lenjani, kryetari i Bashkësisë Lokale të Karaçevës.

“Bashkësia lokale shpreh shqetësime dhe brenga për hallet që ka kjo bashkësi lokale që shkolla fillore Asllan Thaçi që kanë vijuar mësimin nxënësit në këtë shkollë prej klasës së parë e deri në klasën e IX-të. Mësimi është mbajtur me ndihmën e ministres së arsimit z.Arbërie Nagavci, ka përfunduar mësimi mirëpo nxënësit e klasës së IX kanë kryer këtë vit dhe kanë kryer testin e semimaturës dhe nuk i kanë marrë dëftesat e klasës së IX për të vijuar mësimin në shkollat e mesme apo ku të duan të regjistrohen”, ka thënë ai.

Përmes një prononcimi për gazetën “Bota sot”, Lenjani ka përcjell kërkesën e nxënësve të klasës së IX-të për krerët e shtetit, që t’ua bëjnë të mundshme t’i marrin dokumentacionet në atë shkollë, për të vazhduar më pas me shkollimin.

Image
Selver Lenjani

“E nderuar ministre, po ju drejtohemi juve me këtë shkresë apo kërkesë sido ta quani, ne 10 nxënësit e klasës së IX-të nuk arritëm t’i marrim dëftesat nga shkolla fillore Asllan Thaçi ku këtu kemi vijuar mësimin dhe kemi përfunduar mësimin sepse ato ishin të mbyllura nga komuna, mirëpo megjithatë është brengë shumë e madhe që mbetëm 10 nxënës pa u regjistruar edhe vet ne ishim të brengosur pse premtoi ministria e arsimit edhe na mashtruat dhe ne sot bredhim rrugëve të brezit kufitar dhe nuk morëm dokumentacionin përkatës për të vazhduar mësimin në shkollën e mesme”, thuhet në kërkesën e nxënësve.

Ata kanë një lutje, që t’i marrin dokumentet dhe të mos bredhin rrugëve.

“I nderuar kryeministër i shtetit të Kosovës, z.Kurti, e nderuar presidente e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani dhe i nderuar parlamentar Glauk Konjufca, institucione të Republikës së Kosovës, po kërkojmë ndihmën tuaj që të marrim dëftesat e klasës së IX-të, na ndihmoni që të marrim dokumentacionin përkatës për të vijuar mësimin më tutje dhe mos të bredhim nxënësit rrugëve sepse nxënësit e brezit kufitar janë pikë e ndjeshme dhe të nderuar delegatë të Republikës së Kosovës, kemi një kërkesë për ju, na ndihmoni që të pajisemi me dokumentacione nxënësit e brezit kufitar, lusim edhe të gjithë liderët e partive politike, na ndihmoni”, kanë thënë ai.

Lenjani ka thënë se kjo është kërkesë e nxënësve dhe e Bashkësisë Lokale që të pajisen me dokumentacion të protokolluar.

Ata mbesin me shpresë që kjo kërkesë të merret parasysh urgjentisht për nxënësit e brezit kufitar-Karaçeva.

“Bashkësia lokale nuk do të lëshojë pe derisa të mbushen kërkesat e klasës së IX-të, s’do të lëmë gur pa e lëvizur sepse është me të drejtë ndërkombëtare që të shkollohemi në lokalitete përkatëse, ku i plotësojnë të gjitha kriteret për mbarëvajtjen e mësimit mbi 100 nxënës sa numëron kjo shkollë”, ka thënë Lenajni për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat