Afganët e ardhur në Kosovë do të vaksinohen me Johnson & Johnson

Aktuale

Afganët e ardhur në Kosovë do të vaksinohen me Johnson & Johnson

Më: 31 gusht 2021 Në ora: 16:54
Ilustrim

Në Kosovë deri më tani kanë mbërritur 224 afganë, ndërsa pritet të vijnë sot edhe 131 të tjerë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se Kosova ka bërë përgatitjet për vaksinimin e afganëve që janë strehuar në kampin “Bechtel & Enka”, ndërsa ata do të vaksinohen me dozat e vaksinës “Johnson & Johnson”.

Ai tha se vaksinimi i afganëve është përgjegjësi e shteteve anëtare të NATO-s.

“Kemi filluar përgatitjet për vaksinimin e tyre me ‘Johnson & Johnson’, të cilat janë ofruar nga shtetet e NATO-s, ata kanë marrë për obligim të bëjnë vaksinimin e këtyre personave në koordinim me institucionet e Kosovës”, ka deklaruar Sveçla.

Në lidhje me lirinë e tyre për të dalë nga kampi, ministri tha se ata janë të strehuar dhe jo të arrestuar.

“Ne u kemi ofruar strehim, nuk janë të arrestuar, do të shohim protokollet shëndetësore dhe periudhën pas vaksinimit sa ka nevojë të qëndrojnë në kampin ku janë vendosur. Ne po mundohemi që të gjitha nevojat që kanë ata t’i plotësojmë”, deklaroi ai.

Ndryshe, Kosova deri tani ka imunizuar popullatën me vetëm dy lloje të vaksinave, atë “Pfizer” dhe “AstraZeneca”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat