Kurti tregon se çka u fol në Forumin e Bledit, temë edhe përballja me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës

Aktuale

Kurti tregon se çka u fol në Forumin e Bledit, temë edhe përballja me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës

Nga: M.L. Më: 2 shtator 2021 Në ora: 11:38
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë një përmbledhje të temave dhe takimeve në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë si më të rëndësishmet për shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ai ka thënë se në këtë forum ka folur për sundimin e ligjit ndaj oligarkëve, përballjen me kriminelët e luftës, reciprociteti i të drejtave të pakicave si dhe demokratizimi kundrejt autokratëve.

“Sundimi i ligjit ndaj oligarkëve, demokratizimi kundrejt autokratëve, përballja me të kaluarën kundër kriminelëve të luftës dhe reciprociteti i të drejtave të pakicave kundruall hegjemonisë nacionale, janë katër elemente të cilat i ritheksova në Forumin Strategjik në Bled të Sllovenisë si më të rëndësishmet për shtetet e Ballkanit Perëndimor”, shkroi Kurti në Facebook.

Ai tha se në panelin “Future of Europe – Enlargement” (E ardhmja e Evropës – Zgjerimi), ka diskutuar për përfshirjen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian si përfitim i dyanshëm.

“Asisoj shtetet tona dhe mërgata do të ishin në të njëjtin entitet, me dobi të madhe ekonomike e njerëzore. Psh. remitancat në Kosovë përbëjnë mbi 20 për qind të Bruto Produktit Vendor”, potencoi Kurti.

Po ashtu, ai tha se ka vënë theksin te korniza e re e bashkëpunimit, e quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore), e cila do të zëvendësonte CEFTA-n dhe do të modelohej sipas EFTA-EEA, si një kornizë që ndihmon të gjitha gjashtë shtetet dhe secilin prej tyre drejt integrimit evropian.

“Në margjina të këtij Forumi, takimin e parë e pata me Kryeministrin e Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq dhe ministrin e Punëve të Jashtme e Çështjeve Evropiane të Kroacisë, z. Gordon Grliq Radman. U shpreha mirënjohjen e popullit dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për ndihmën që Republika e Kroacisë ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod”, u shpreh kryeministri.

“Takime bilaterale pata me Presidentin e Sllovenisë, z. Borut Pahor, themeluesin dhe kryetarin e Forumit Ekonomik të Delphi-it, z. Symeon Tsomokos, Përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, z. Miroslav Lajçak, Komisionerin Evropian për Fqinjësi e Zgjerim, z. Oliver Varhelyi si dhe Presidentin e Këshillit Evropian, z. Charles Michel”, tha ai.

Kurti theksoi se sfida e përbashkët e përballjes me pandeminë COVID-19 dominoi diskutimet, krahas nevojës për përkrahje të njëri-tjetrit për menaxhimin e kësaj krize globale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat