Ja se pse duhet arrestuar Vitinë sipas Haxhiut

Aktuale

Ja se pse duhet arrestuar Vitinë sipas Haxhiut

Më: 3 shtator 2021 Në ora: 11:49
Bekim Haxhiu dhe Arben Vitia

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar arrestimin e ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për siç pretendon ai, dëmin që ky ministër e shkaktuar në shëndetin publik në vend.

E gjithë kjo për shkak të skadimit të afatit të mijëra vaksinave anticovid për të cilat Ministria e udhëhequr nga Vitia po e fajëson, deputetin Haxhiu, opozitën e qytetarët.

Haxhiu në një intervistë për media ka thënë se ky është donacioni i dytë që i pari i Shëndetësisë në Kosovë e pranon në kundërshtim me ligjet për barërat dhe si përfundim këto produkte mbesin në stoqe të pashfrytëzuara.

“Me ligj për pajisje dhe produkte mjekësore saktësohet se duhet me qenë të paktën 2 të tretat e afatit që të mos shkojnë kot produktet, është ky donacioni i dytë që ai e pranon dhe nuk përdoret përfundon në stok dhe duhet të asgjësohet në Republikën e Kosovës. Kështu është bërë edhe me 1 mijë testet e Serbisë dhe tani duhet të asgjësohen me para të buxhetit të Republikës së Kosovës, bashkë me këto 133 mijë vaksinat dhe për këtë është Arben Vitia përgjegjës dhe askush tjetër”, ka thënë ai.

Derisa sipas tij këto janë arsye më se të mjaftueshme që i njëjti të arrestohet.

“Deri para se të publikohej ky lajm edhe ky skandal për të, kam kërkuar që të shkarkohet mirëpo tash pas këtyre skandaleve në dëmtimin e shëndetit publik ai duhet të arrestohet dhe të gjykohet për dëmin qe e ka shkaktuar në shëndetin publik”, ka thënë ai.

Po ashtu Haxhiu ka komentuar edhe deklaratat e shumta kundër opozitës dhe fajësimin e tyre e të qytetarëve.

“Me i fajësu qytetarët edhe me e fajësu opozitën pse ka dështuar qeveria me vaksinimin dhe iu ka skadu afati 133 mijë e 200 vaksinave lëre që është joserioze edhe është shaka por është edhe hipokrite. Kemi një ministër të papërgjegjshëm i cili nuk e ka bërë asnjë apel as senzibilizues e as mobilizues për procesin e vaksinimit. Pra derisa vaksinave u skadonte afati ministria e Shëndetësisë vikendeve nuk i vaksinonte qytetarët. Janë plot 18 ditë që ministria e Shëndetësisë prej që i ka marrë vaksinat Astrazeneca ka pauzuar të shtunave dhe te dielave. Dhe sikur të punonte të shtunën dhe të dielën këto vaksina do të jepeshin dhe është hipokrite nëse ministri i Shëndetësisë gjen fajtorin te të tjerët që kanë ndikuar”, ka shtuar ai.

E sipas Haxhiut fajtori ekskluziv për gjithë gjendjen me pandeminë në vend është pikërisht qeveria.

“Të gjithë pozitë dhe opozitë, nuk mund ta gjesh askënd as edhe një deklaratë as një lajm të një deputeti të opozitës i cili ka proklamuar kundër procesit të vaksinimit, përkundrazi, vazhdimisht që qytetarët të vaksinohen dhe se vaksnimi është mbrojtja më e mirë, mirëpo ky është faj ekskluziv i ministrisë së Shëndetësisë, dhe i qeverisë së Republikës së Kosovës”, ka thënë ai .

Derisa për fund, Haxhiu  kishte edhe një mesazh për Vitinë.

“Dhe pata edhe komente nëse qytetarët i besojnë më shumë Bekim Haxhiut se Arben Vitisë atëherë është brengë për Arben Vitinë e jo për Bekim Haxhiun, edhe pse asnjëherë unë nuk kam apelu kundër vaksinimit përkundrazi i kam tërheq vërejtjen, Vitisë kur i ka pranuar vaksinat në kundërshtim me ligjet mjekësore”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se ministri Vitia në një konferencë për media ka pranuar se vaksinave AstraZeneca u ka skaduar afati, duke mos treguar shifrën e saktë për sa doza bëhet fjalë.

Gazeta Infokus ka kërkuar nga MSh-ja që të dijë se sa doza të vaksinës kanë mbetur të pashfrytëzuara për shkak se iu doli afati mirëpo të njëjtit deri në publikim i këtij teksti nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat