Abdixhiku reagon ashpër: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet, pushteti i tmerruar nga numrat zgjedhor në teren

Aktuale

Abdixhiku reagon ashpër: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet, pushteti i tmerruar nga numrat zgjedhor në teren

Nga: G.B Më: 7 shtator 2021 Në ora: 11:04
Lumir Abdixhiku

Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet.

Ky reagim ka ardhur pas deklaratës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, se zgjedhjet mund të shtyhen për shkak të pandemisë, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku ka thënë se pushteti duket se është tmerruar nga numrat zgjedhor nga terreni, andaj dhe dalin me ide të tilla të shtyrjes së zgjedhjeve, që ta parandalojnë rrënimin politik që i pret.

Ai ka thënë se propozimi i tij për ta shkurtuar fushatën s’ka marrë përgjigje ende nga Kurti dhe nuk ia pranon këtë arrogancë dhe nuk e pranojnë as tolerojnë shtyrjen e zgjedhjeve.

Tutje, Abdixhiku ka shtuar se KQZ është gati, derisa ka bërë thirrje që Qeveria të punojë për luftimin e pandemisë.

Postimi i tij i plotë:

Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet.

Askush s’guxon ta prekë demokracinë.

Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar - mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot.

Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj - po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë.

KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani.

Ftoj të gjitha partitë opozitare, shoqërinë civile, mediet e botën akademike të rreshtohen në një front refuzues ndaj tendencës për të prekur zgjedhjet si themel të demokracisë, nga një pushtet dëshpërues që po teston secilin kufij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat