​KQZ: Subjektet politike të nominojnë persona të vaksinuar

Aktuale

​KQZ: Subjektet politike të nominojnë persona të vaksinuar

Më: 9 shtator 2021 Në ora: 14:03
Foto ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po kërkon nga partitë politike që vëzhguesit, por edhe anëtarët e Këshillave zgjedhor të subjekteve politike, të nominohen persona të vaksinuar, derisa anëtarët e këtij institucioni kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që stafit të KQZ-së t’i jepet përparësi në procesin e vaksinimit antiCOVID.

Meqenëse pas 13 shtatorit asnjë zyrtar publik nuk do të mund të paraqitet në punë pa dëshmi të vaksinimit apo testit PCR se janë negativë me COVID-19, që rrjedhimisht i bie që pa këto dy dëshmi nuk mund të punojë askush.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Burim Ahmetaj njoftoi se aktualisht me dy dozat janë të imunizuar 36% e stafit të KQZ-së, ndërsa edhe 27 % ende janë të vaksinuar, por që dozën e parë e kanë marr rreth 70 %.

Ai rekomandoi që KQZ t’i drejtohet me një kërkesë ministrisë së Shëndetësisë, që stafit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve t’u jepet përparësi për vaksinim.

Ahmetaj: Kërkojmë që të na ofrohet përparësi për vaksinim

“Më shumë se 70% e stafit janë të vaksinuar me dozën e parë dhe me dozën e dytë janë diku rreth 36% të vaksinuar, ndërsa sipas raportit të datës 7 shtator të pa vaksinuar janë edhe 27% të stafit zgjedhor që nënkupton se janë edhe një pjesë e vogël të stafit nga stafi permanent që punon në KQZ. Mirëpo, sipas deklarimeve të tyre, të gjithë janë në proces të terminit për t’u vaksinuar dhe nënkupton që më 13 shtator do t’i kemi në masë të madhe stafin e zgjedhjeve të vaksinuar. Pra, pas datës 13 shtator sipas vendimit të Qeverisë stafi duhet të posedoj dëshmi të vaksinimit ose testeve PCR 48 orësh që t’u lejohet qasja në institucionet publike në këtë rast në KQZ. Rekomandojmë që KQZ t’i drejtohet MSH për t’u jep prioritet dhe mundësi vaksinimit të gjithë personave që nominohen në këtë rast nga subjektet politike për anëtarë të këshillave të vendvotimeve dhe trupave tjerë zgjedhor”, tha Ahmetaj.

Me këtë u pajtua edhe Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së, i cili tha se duhet që urgjent të veprohet në këtë drejtim përmes një memorandum të bashkëpunimit në mes të KQZ-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

Gashi: Duhet urgjent një memorandum KQZ-MSH

“Na duhet urgjent të kemi një kontakt të domosdoshmesh me MSH-në, qoftë përmes një memorandum të shpejtë apo edhe të marrëveshjes, sepse zgjedhjet nuk janë vetëm obligim i KQZ-së, por të të gjitha institucioneve të Kosovës”, tha Gashi.

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka ftuar partitë politike që të nominojnë anëtarë të Këshillave Zgjedhor, por edhe vëzhgues persona të vaksinuar.

Radoniqi: Partitë politike të nominojnë persona të vaksinuar

“Unë kisha ftuar partitë politike që të nominojnë persona që janë të vaksinuar apo të njëjtit duhet të jenë në vendin e punës me test PCR”, u shpreh ai.

Në këtë mbledhje të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është miratuar edhe vula e përgjithshme që do të vulosen fletëvotimet në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, por edhe vula e veçantë për personat me nevoja të veçanta.

Po ashtu u miratua edhe kërkesa që të rritet numri i votuesve në vendvotime nga 750 sa i përcakton ligji për Zgjedhje të Përgjithshme në 950, duke mos rrezikuar edhe shëndetin publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat