Milazim Krasniqi jep alarmin për “Open Ballkan”, tregon gjithë prapaskenën e projektit...

Aktuale

Milazim Krasniqi jep alarmin për “Open Ballkan”, tregon gjithë prapaskenën e projektit...

Nga: P.R Më: 9 shtator 2021 Në ora: 16:18
Milazim Krasniqi

Profesori universitar, Milazim Krasniqi, përmes një postimi në facebook ka shkruar se iniciativa "Open Ballkan" është në kontinuitet me idetë dhe projektet e vjetra serbe për dominim në hapësirat ballkanike.

“Projektet serbomëdha, që nga “Naçernanie” e Garashaninit, Elaborati i Çubrilloviqit, Elaborati i Ivo Andriqit, Projekti i Moleviqit, projekti i Drazha Mihajlloviqit, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve e deri te Memorandumi 2, deri te betimi i Vuçiqit si president i Serbisë, kanë të njëjtin objektiv – krijimin e Serbisë së Madhe”, ka shkruar Krasniqi, përcjellë “Bota sot”.

Postimi i plotë:

Nga pikëpamja e Serbisë, iniciativa "Open Ballkan" është në kontinuitet me idetë dhe projektet e vjetra serbe për dominim në hapësirat ballkanike. Projektet serbomëdha, që nga “Naçernanie” e Garashaninit, Elaborati i Çubrilloviqit, Elaborati i Ivo Andriqit, Projekti i Moleviqit, projekti i Drazha Mihajlloviqit, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve e deri te Memorandumi 2, deri te betimi i Vuçiqit si president i Serbisë, kanë të njëjtin objektiv – krijimin e Serbisë së Madhe.

Të gjitha ato projekte dhe një spektër i madh i dokumenteve zyrtare shtetërore të Serbisë, duke përfshirë edhe ligjet për kolonizimin e viseve jugore, planin e viteve të tetëdhjeta përkthimin e serbëve në Kosovë, e deri te plani “Patkoi” i viteve 1998-1999, kanë për objektiv rikrijimin e Serbisë dushaniane, mbi dogmën e shënsavizmit, pra të krijimit të një shteti kombëtar serb në hapësira sa më të mëdha ballkanike, në të cilat shteti, kombi dhe feja do të ishin një tërësi a njësi unike.

Në këtë hulli ishte edhe ideja e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit, që nga koha kur u zgjodh president i Serbisë në vitin 2017. Ai pati proklamuar se si president do të punonte të formohej një formacion i ri, të cilin e pat quajtur “Jugosllavia Plus”, meqë përfshinte brenda atij formacioni edhe Shqipërinë. Kjo ide politike e Vuçiqit është në kontinuitet me formulën e hershme serbomadhe “Ballkani ballkanasve”, me të cilën ka operuar edhe Nikolla Pashiqi dhe e cila u shfrytëzua për hegjemoninë serbe edhe ndërmjet dy luftërave botërore.

Pra, sa i përket Serbisë, edhe “Open Balkan” është brenda kornizës së projekteve serbomëdha, por kësaj here në kërkim të variacioneve që do të mundësonin që të mbetej aktiv projekti për Serbinë e Madhe në realitetet e reja gjeopolitike, që janë të pavaforshme për Serbinë. Në këtë kontekst, Serbia vetëm e shfrytëzon dobësinë e Bashkimit Evropian, siç i pati shfrytëzuar dobësitë dhe kontradiktat e Fuqive të Mëdha në dy deceniet e para te shekullit XX. Po të mos ishte këtu NATO, do të bënte sërish kërdi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat