IKSHPK i shkruan letër presidentes Osmani, ky është rekomandimi i tij për zgjedhjet lokale

Aktuale

IKSHPK i shkruan letër presidentes Osmani, ky është rekomandimi i tij për zgjedhjet lokale

Më: 11 shtator 2021 Në ora: 13:57
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë vlerësimin në lidhje me ndikimin e procesit zgjedhor në gjendjen epidemiologjike në vend, përmes një letre drejtuar presidentes së vendit, Vjosa Osmanit.

Në këtë letër drejtuar Presidencës, Task Forca e IKSHPK-së ka thënë se rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor.

“Rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimet e qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, thuhet në letrën që IKSHPK-ja ia ka dërguar presidentes Osmani.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte kërkuar gjatë të premtes nga Task Forca e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës opinionin profesional për ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.

Kërkesës i është përgjigjur kjo Task Forcë, e cila duke u bazuar në të dhënat e analizës epidemiologjike, është e mendimit se “mbajtja e procesit zgjedhor që ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritjen e rasteve me fatalitet”.

Ky opinion do të diskutohet të hënën në takimin që Osmani ka thirrur partitë politike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat