“A po nerth kush”, zëvendësministri reagon për kritikat gjuhësore ndaj kryeministrit Kurtit, tregon një rast me Thaçin

Aktuale

“A po nerth kush”, zëvendësministri reagon për kritikat gjuhësore ndaj kryeministrit Kurtit, tregon një rast me Thaçin

Nga: A.Zh Më: 12 shtator 2021 Në ora: 09:55
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë intervistës për “Al Jazeera”

Zëvendësministri i Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë Getoar Mjeku, ka reaguar pas kritikave ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili u akuzua për se “bëri gabime” në anglisht gjatë intervistës për “Al Jazeera”.

Mjeku ka thënë se vërejtjet ndaj Kurtit janë shkencërisht të pasakta, qesharake dhe jorelevante, përcjell Bota sot.

Sipas tij, artikujt kundër kryeministrit nga disa portale po bëhen me qëllim njollosjen e Kurtit.

Mjeku ka kujtuar se ai kishte reaguar edhe ndaj kritikave kundër ish-kryeministrit Hashim Thaçi, për çështje parimi.

Reagimi i tij në Facebook:

Goebbelistët që po shpifin për anglishten e Kryeministrit Albin Kurti nuk e njohin as anglishten, as gjuhësinë, as gazetarinë. Vërejtjet që japin janë shkencërisht të pasakta, qesharake ose thjesht jorelevante për me vlerësu sa mirë e zotëron gjuhën z. Kurti. Por portalet postojnë këso artikujsh dëshpërimi për me njollosë medoemos një njeri që i vyn Kosovës.

Unë kam tagër me reagu tani jo pse jam aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje! ose i emëruar i Kryeministrit Kurti, por pse kam kry dekada shkollë anglisht, kam përfaqësu klientë në gjykatë anglisht, kam vepra të botuara anglisht, kam përkthy libra anglisht dhe kam shkru për përdorimin e gjuhës nga shtresa të ndryshme të shoqërisë. Dhe kështu ngjashëm pata reagu njëherë moti edhe ndaj atyre që përqeshnin ish-kryeministrin Hashim Thaçi pse pat thënë shqip "A nirthte?" Është punë parimi!

Tash, a po nerth kush?

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat