Reagon edhe njëherë LDK: Të mos preken zgjedhjet, fushata vetëm 5 ditë

Aktuale

Reagon edhe njëherë LDK: Të mos preken zgjedhjet, fushata vetëm 5 ditë

Nga: P.R Më: 13 shtator 2021 Në ora: 17:36
Mbledhja e kryesisë së LDK-së

Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka publikuar detajet se çfarë është diskutuar në mbledhjen e kryesisë, e cila është mbajtur sot.

“Në mbledhjen e mbajtur sot, Kryesia e LDK-së, duke marrë për bazë gjendjen e rëndë shëndetësore në vend, gjendje e shkaktuar për shkak të keqmenaxhimit pandemik e të paprecedentë, vendosi që në mënyrë krejtësisht vullnetare, fushata konvencionale zgjedhore të shkurtohet nga 30 ditë në vetëm 5 ditë; me mundësi që, varësisht nga gjendja pandemike të mos mbahet fare. Fushata, ndërsa, do të mbahet vetëm në formë dixhitale dhe në tubime duke i respektuar në përpikmëri rregullativën në vend mbi tubimet publike”, thuhet në komunikatën e LDK-së.

Sipas komunikatës, në mbledhje u diskutua dhe domosdoshmëria e mbajtjes së zgjedhjeve me 17 tetor, brenda kornizave kushtetuese e demokratike të Kosovës.

“Kryesia e LDK-së edhe njëherë fton të gjithë akterët politik, shoqërinë civile, mediat dhe botën akademike që të rreshtohen kundër tendencës për të prekur zgjedhjet të cilat janë themel i demokracisë. Gjatë mbledhjes u diskutua edhe për organizimin e strukturave të partisë për zgjedhjet lokale të 17 tetorit, si dhe për zhvillimet aktuale politike në vend”, ka bërë të ditur LDK në komunikatën e saj, përcjellë “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat