AGK dënon sjelljen e Ramës: U përkujdes që të mos lejojë gazetarët nga Kosova t’i bëjnë pyetje Merkelit

Aktuale

AGK dënon sjelljen e Ramës: U përkujdes që të mos lejojë gazetarët nga Kosova t’i bëjnë pyetje Merkelit

Më: 14 shtator 2021 Në ora: 18:41
Foto nga konferenca e Ramës dhe Merkel

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në konferencën e mbajtur sot pas takimit me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel, nuk iu dha mundësi gazetarëve nga Kosova që t’i bëjnë pyetje.

Për këtë, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka reaguar duke thënë se këtë sjellje të kryeministrit shqiptar e vlerëson të papranueshme

“Në këtë konferencë pjesë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe Kosova dhe sipas kolegëve tanë, zoti Rama është përkujdesur që të mos lejojë gazetarët kosovarë të bëjnë pyetje për zonjën Merkel”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Më tej, në këtë reagim thuhet se një ndarje e tillë, për nga prejardhja e gazetarëve në një takim ndërkombëtar është akt i papranueshëm.

Kujtojmë se për këtë veprim të Ramës ka reaguar edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetareve.

“Turp për kryeministrin shqiptar, Edi Rama, i cili qëllimisht i injoroi pyetjet e gazetarëve nga Kosova. Federata Evropiane e Gazetarëve e dënon këtë segregim shokues”, ka thënë Ricardo Gutierrez.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat