Kërkohen dëshmi se Dreshaj ishte deputet kur dha deklaratat për të cilat Murat Meha kërkon 200 mijë euro

Aktuale

Kërkohen dëshmi se Dreshaj ishte deputet kur dha deklaratat për të cilat Murat Meha kërkon 200 mijë euro

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 09:44
Pamje nga seanca

Gjykata Themelore në Pejë, dega në Istog, ka obliguar ish-deputetin Gani Dreshaj që të sigurojë provën për të vërtetuar a ka qenë deputet në periudhën kur ka dhënë deklaratat që pala paditëse, Murat Meha, pretendon se ishin fyese.

Në këtë rast, Meha po kërkon nga ish-deputetit Gani Dreshaj 200 mijë euro dëmshpërblim, me arsyetimin se ky i fundi ka shpifur për të.

Përfaqësuesi i të paditurit Dreshaj, avokati Armend Lokaj, ka deklaruar se i padituri edhe nëse ka thënë nga ato të theksuara në padi, prapë se prapë i njëjti përjashtohet nga përgjegjësia për shpifje, pasi thotë se deklarimet i ka bërë derisa ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Avokati Lokaj shtoi se qëllim i deklarimeve ka qenë interesi publik dhe mbrojtja e kufijëve shtetëror, duke pasur dyshimet e tij lidhur me veprimet e paditësit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“I kujtojmë gjykatës se neni 5, paragrafi 3, i ligjit civil kundër shpifjes dhe fyerjes, parasheh se kur shpifja ose fyerja ka të bëjë me interes publik ose kur personi i shpifur ose fyer ka qenë zyrtar publik, ose kandidat në pozitën publike, mund të ketë përgjegjësi për shpifje, nëse vetëm autori e ka ditur se informacioni ka qenë i rrejshëm”, ka thënë avokati Lokaj. 

Andaj, thotë se deklarimi i të paditurit është konform kësaj dispozite, për faktin se sipas tij, e gjithë deklarata është e bazuar në të dëgjuar dhe nuk e ka të provuar me asnjë fakt.

Tutje, avokati Lokaj tha se e gjithë padia është e mbështetur në keqcitime dhe interpretime të medieve, duke shtuar e kjo vërtetohet edhe nga vetë prova që paditësi e ka paraqitur në padi, ku sipas tij vërehet shumë qartë se i padituri ka dhënë deklaratë tjetër, ndërsa në titullin e lajmit është përdorur një shprehje e cila nuk është thënë nga i padituri asnjëherë të vetme.

“Paditësi në padi thekson se bazuar në portalin lajmi.net, qëndron titulli ‘Dreshaj: Murat Mehaj është tradhtar, ka villë në Mal të Zi’, ndërsa në citimin e paditësit në padi lidhur me emisionin në ‘RTV Dukagjini’, në asnjë rast nuk është përmendur fjala tradhtar”, shtoi ai.

Lokaj deklaron se paditësi, padinë e bazon në tituj të portaleve duke e shtrembëruar të vërteten, me qëllim që t’i japë kahje tjetër, duke rënë në kundërshtim me citimet e bëra në padi.

Në vazhdim, avokat Lokaj, ka deklaruar se praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në aktgjykimin e rastit Kulis kundër Polonisë, ka nxjerrë në pah se për rastet kur deklarimet e caktuara kanë të bëjnë me individ të caktuar si politikan, zyrtar publik, ose figura publike, këta individ duhet të presin që t’u nënshtrohen kufijve më të gjerë të kritikës së pranueshme.

Nga ana tjetër, i autorizuari i paditësit, avokati Gjuran Dema ka thënë se pala e paditur nuk e arsyeton me asnjë provë që i padituri Dreshaj gjatë kohës kur ka dhënë deklaratat e përshkruara si në padi, ka qenë deputet i Republikës së Kosovës.

“Përkundrazi përhapja e lajmeve të pavërteta është bërë me 3 maj 2017, nëpërmjet ‘TV Dukagjini’, kurse mandati i të paditurit në legjislaturën e gjashtë ka filluar më 3 gusht 2017 dhe ka përfunduar më 22 mars 2019”, ka thënë Dema.

Ai deklaroi se këtë pohim do ta vërtetojë përmes shkresave që do ia dorëzojë gjykatës në dy kopje, ndërsa prova në fjalë përmban emrat e deputetëve të legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës.

Pas këtyre deklarimeve, gjykatësi Migjen Kastrati obligoi palën e paditur që brenda 15 ditësh të sjell provën që do ta vërtetojë nëse i paditur Dreshaj gjatë kohës së dhënies së deklaratave të përshkruara si në padi ka qenë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Seanca e radhës në këtë çështje juridiko-civile është caktuar të mbahet më 20 tetor 2021.

Sipas padisë së ushtruar më 24 maj 2017, Murat Meha po kërkon nga i padituri Gani Dreshaj dëmshpërblim për shpifje, në vlerën 200 mijë euro.

Sipas padisë, i padituri Dreshaj përmes mjeteve informuese, “RTV Dukagjini” dhe lajmeve në portale të internetit, më 3 maj 2017 ka përhapur lajme të pavërteta për të kaluarën e paditësit Meha, për aftësitë e tij profesionale e njerëzore dhe për familjen e tij.

Aty thuhet se Dreshaj, në rubrikën “Intervista” të RTV Dukagjini, duke u përgjigjur lidhur me pyetjet për caktimin e vijës kufitare mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi, ka shpifur në dëm të paditësit ku ky i fundit nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës ishte caktuar kryetar i Komisionit për caktimin e kufirit.

Në padi thuhet se ai ka deklaruar se “Ne dimë bjeshkën pllamë për pllamë dhe e dimë ku na ka ndalur policia kur kemi shkuar te pobratimat tanë në Rozhajë. Kur kemi shku atje na ka ndalë polici Deniq e Meta. Për demarkacionin askush nuk na ka thanë se ai duhet të jetë te kjo vijë. Sa për çështjen kush e ka udhëhequr demarkacionin, në fillim ishte një djal i Istogut shumë i ndershëm që nuk du me ia përmend emrin”.

Tutje citohet të ketë thënë se kanë qarkulluar shumë emra, por në komision është zotëri Gorani, të cilit kishte thënë se më tutje nuk dëshiron t’ia përmend emrin.

“Ai zoti Gorani është tërhequr me dëshirën e Murat Mehës me e-mailat që ia ka dërgu komisionit të Malit të Zi, për me e heq si i padëshirueshëm për mirëkuptim se nuk i ka shku loja Muratit. Se ai ka dashtë edhe ka rrjedha tjetërkund, ka ditë anën e terenit, e asht njeri i shkolluar i Istogut dhe potencial dhe i është kthyer E-maili se ky njeri (v.e paditësit Gorani), është i padëshirueshëm në këtë komision”, thuhet të ketë deklaruar Dreshaj.

Tutje siç thuhet në padi, nga përgjigjet e të paditurit në pyetjet e intervistuesit, në mjetin informativ, lajme, emisioni “Infobox” në RTV Dukagjini, me 3 maj 2017, ora 19:57 dhe lajmet net në ora 22:13, qëndron titulli: “Dreshaj: Murat Meha është tradhtar, ka vile në Mal të Zi”, që nëntitull ka konstatimin: Gani Dreshaj, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të AAK-së ka akuzuar rëndë kryetarin e Komisionit për përcaktimin e demarkacionit me Malin e Zi, Murat Mehën, se ka montuar që nga ky komision të largohen anëtarë të ndershëm.

Tutje, i padituri thuhet se vazhdon: “Murat Meha për para është gati ta shesë edhe babanë e tij dhe se sipas tij ka edhe vilë në Mal të Zi, se nuk e di kënd e ka mbështetje, nuk mund të kalkulojë, por unë Murat Mehës i besoj gjithçka që bën për interesin e vet e bën dhe bën vaki se ka edhe vilë në Mal të Zi dhe më në fund deklaron se këtë nuk e kam për fakt, por me të dëgjuar që kam, që po”.

Gjithnjë sipas padisë, fjalët dhe fjalitë shpifëse të paraqitura në padi nga ana e të paditurit, kundër paditësit, paraqesin cenim të integritetit dhe dinjitetit të paditësit në rrethin me të ngushtë dhe të gjerë.

Kështu, paditësi po kërkon nga gjykata që padia e tij të aprovohet si e bazuar dhe të detyrohet i padituri Dreshaj që në emër të kompensimit të dëmit jomaterial, cenim të personalitetit, paditësit t’ia paguajë shumën prej 200 mijë euro, me kamatë ligjore, duke e llogaritur nga 3 maji 2017 e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore.

Të gjitha këto ai i ka kërkuar në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, nën kërcënim të ekzekutimit të dhunshëm. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat