“Pse sot”/Arben Gashit i vjen reagimi: Pyetja më idiote, kushdo që ka sy, vesh e mend e di...

Aktuale

“Pse sot”/Arben Gashit i vjen reagimi: Pyetja më idiote, kushdo që ka sy, vesh e mend e di...

Nga: G.B Më: 20 shtator 2021 Në ora: 16:01
Arben Gashi

Shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi, e ka pyetur kryeministrin Albin Kurti, se pse pikërisht sot ka nisur zbatimin e reciprocitetit për targat.

Ndaj tij ka reaguar profesori Enver Bytyçi, i cili ka thënë se kjo është pyetja më idiote që ka dëgjuar ndonjëherë, përcjell Bota sot.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka thënë se kushdo që ka sy, vesh e mend, e di se sot duhet marrë masa, pasi përfundonte afati i marrëveshjes Thaçi-Mustafa me Serbinë.

Ai ka shtuar se në vend të kësaj pyetje, do t’i duhej thënë se dështimi i këtij aksioni do të ishte fatal.

Postimi i tij i plotë:

Pse sot?

Kreu i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike i ka thënë Albin Kurtit për çështjen e reciprocitetit me Serbinë për targat: "Pse sot"?!

Pyetje më idiote nuk kam dëgjuar ndonjëherë. Nëse do ta shpallte qeveria këtë masë pas një muaji, pas dy apo tre muajsh, përsëri mund të shtrohej pyetja "Pse sot"?! Por për këdo që ka sy, vesh e mend duket qartë se kjo masë do të duhej marrë pas datës 15 shtator, kur përfundonte afati i marrëveshjes Thaçi--Mustafa me Serbinë! Së paku nja tri ditë i duheshin edhe qeverisë që të përgatitej! Dhe ja vjen data e sotme!

Në vend që Albin Kurtit t'i thuhet se dështimi në këtë aksion shumë të rëndësishëm do të ishte fatal, i thuhet "Pse sot"?! Nuk ka ku të rrijë opozitarizmi pro-serb në Kosovë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat