Bislimi: Vuçiqi po mundohet të manipulojë, vendimi për targat s’ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit

Aktuale

Bislimi: Vuçiqi po mundohet të manipulojë, vendimi për targat s’ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit

Më: 24 shtator 2021 Në ora: 07:33
​Besnik Bislimi

(E plotësuar 11:53) - Komisioni miraton Programin Kombëtar për zbatimin e MSA-së

Komisioni për Integrim Evropian të premten ka miratuar me shtatë vota Programin Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2021-2025.

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, tha se kjo marrëveshje përbëhet nga tri kritere –  politike, ekonomike dhe standardet evropiane – dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro.

“Dokumenti është i përbërë prej 250 faqesh, pra përmban një volumitet të përmbajtjes. Për zbatimin e këtij plani kombëtar nuk kemi probleme buxhetore dhe kostoja e saj është 47.7 milionë euro. Plani kombëtar përmban 61 projektligje me standarde evropiane”.

Deputeti Driton Hyseni tha se do të duhej që të ketë plane konkrete sa i përket granteve dhe të ketë kuadro profesionale edhe sa i përket zhvillimit lokal të komunave për fondet që iu jep BE-ja.

“Do të doja që të kemi hapa dhe plane konkrete sa i përket granteve dhe dua të kem informacion nga ju sa i përket zhvillimit lokal të komunave. A ka kuadro profesionale në këto komuna për të bërë projekte zhvillimet nga fondet e BE-së”.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tha se një dokument i tillë do të duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe të jetë në përputhje me rregulloren.

“Katër takime jemi prapa dhe na duhen impute se sa është avancuar ky projekt. Një dokument i tillë do të duhej t’i nënshtrohej një diskutimi publik dhe në përputhje me rregulloren”.

“Puna e kësaj qeverie është e pamjaftueshme dhe për këtë arsye është e nevojshme që Kuvendi dhe Qeveria të bashkëpunojnë në këtë drejtim”.

Bislimi iu përgjigj deputetes Deliu-Kodra lidhur me çështjet e adresuara i cili theksoi se performanca tatimore është shumëfish më e mirë se e çdo vendi të rajonit.

Sa i përket emërimeve politike dhe zbatimit të këtij plani, ai tha se nuk ka pasur aktivitet i cili është keqpërdorur më shumë sesa emërimet politike.

Por, deputetja e PDK-së tha se qeveria po i fsheh emrat e atyre që jaën emëruar.

“Për korrektësi nuk do t’i hy me emra, por nuk mundet me qenë profesionist ajo listë që e dimë të gjithë dhe kjo është tendencë e juaja që me i fsheh këta persona”, iu kundërpërgjigj Deliu-Kodra zëvendëskryeministrit.

Diskutimi i tyre ka vazhduar prapë lidhur me këtë cështje.

“Nëse fjalët e kryeministrit janë që familjarët janë për dasma dhe ahengje atëherë qëndroni fjalëve tuaja, leni për dasma dhe ahengje dhe jo me i lanë nëpër borde”, tha Deliu-Kodra.

Deputetja e AAK-së Time Kadriaj pyeti zëvendëskryeministrin se kur pritet të sillen 61 projektligje në Kuvend që janë pjesë e planit.

“Mos u arsyetoni për emërimet sepse e keni pasur patjetër edhe ju mi emëruar këta anëtarë sepse prej tyre keni fituar votat”, tha tutje ajo.

Zëvendëskryeministri Bislimi tha se tashmë 14 projektligje janë përfunduar dhe pritet edhe miratimi i të tjerave.

“Sa i përket vaksinave ne kemi mjaftueshëm sa për të dhënë edhe vaksinën e tretë. Deri në mars jam optimist që mund ta kalojmë gjysmën e këtij plani”.

***

Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se vendimi për reciprocitet me targat për automjetet serbe nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit. E njëjtë, sipas tij ka skaduar me 15 shtator dhe vendimi është legjitim dhe sovran i Kosovës.

Qasjen e tillë, i dyti i ekzekutivit e ka quajtur gabim dhe konfirmim i manipulimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

"Vendimi për targat nuk ka të bëjë asgjë me marrëveshjen e Brukselit, pasi ajo marrëveshje ka skadu me 15 shtator. Vendimi për reciprocitet ishte vendim sovran i Kosovës. Është gabim dhe konfirmimi i asaj që po mundohet të manipuloj edhe Vuçiqi se ky vendim ka të bëjë me marrëveshjen e Brukselit", tha ai.

Në komisionin për Integrime Evropiane, ku po raporton, Bislimi foli edhe për temën e ardhjes së gazit amerikan në Kosovë.

Ai tha se kjo marrëveshje nuk e sjell asnjë litër gaz nga ShBA-ja, por nga Azerbajxhani dhe Rusia.

"Marrëveshja për gazin nuk e sjell asnjë një litër gaz nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I gjithë gazi është nga Azerbajxhani dhe Rusia, është budallakët të thuhet se gazi që është nga Greqia dhe përmes Maqedonisë së Veriut është nga Amerika", shtoi ai.

I pyetur nga deputetët për emërimet politike në Qeverinë Kurti, Bislimi tha se ka pasur keqpërdorime të mëdha në këtë temë.

​Besnik Bislimi raporton në Komisionin për Integrime Evropiane

Sot do të mblidhet Komisioni për Integrime Evropiane.

Në këtë Komision do të shqyrtohet Programi Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2021-2025, e ku i ftuar do të jetë edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Në këtë komision do të shqyrtohet edhe plani i veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës-Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II).

Mbledhja do të filloj në ora 09:00.

RENDI I DITËS

1. Miratimi i rendit të ditës;

2. Miratimi i procesverbalit nga mbledhja e datës: 21.07.2021 dhe 26.07.2021;

3. Shqyrtimi i Programit Kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim- Asociimit (PKZMSA) 2021-2025, i ftuar z. Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog;

4. Shqyrtimi i Planit të Veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës – Agjendës për Reforma Evropiane (PV ERA II), i ftuar z. Besnik Bislimi – Zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog;

5. Të ndryshme.

Vendi: N204

Koha: 09:00

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat