Dhimbje e lot në Merdar/ Kurti: Masakra në Rezallës, dëshmi e gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë

Aktuale

Dhimbje e lot në Merdar/ Kurti: Masakra në Rezallës, dëshmi e gjenocidit që Serbia ka kryer në Kosovë

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 14:26

(E plotësuar 16:16) Më shumë se dy dekada familjarët kanë derdhur lot mbi varre të zbrazura. Larg vendlindjes së tyre, të masakruar, shumë eshtra u mbuluan në varreza masive, që të mos dihet kurrë për fatin e tyre.

Pas 22 vjetësh, shtatë familjeve të Rrezallës u janë kthyer eshtrat e më të dashurve të tyre. Ndërkaq, dy të tjerave, trupa që u përkasin masakrës së 5 prillit, janë ribashkim i mbetjeve mortore të gjetura në vitin 2014 në Rudnicë.

Në pikën kufitare në Merdare pasditen e sotme, kanë arritur eshtrat e kosovarëve. Instituti i Mjekësisë Ligjore do të ekzaminojë sërish këta trupa, e më pas do të organizohet ceremonia e varrimit në Rezallë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kanë për detyrë që para Serbisë të këmbëngulin për drejtësi dhe të dihet për fatin e mbi 1600 personave. Sipas tij, mungesa e përgjigjes për fatin e personave të zhdukur tregon krimin e planifikuar të Serbisë.

Kurti: E madhe është dhimbja e kësaj dite

"8215 ditë, askush nuk mund ta dijë apo kuptoj peshën e rëndë e mungesës që koha ka shtuar mbi plagët e shpirtit tuaj. E madhe është dhimbja e kësaj dite. I dhimbshëm e i ftohtë ky ritakim i familjeve që sot po ua kthejmë më të dashurit e tyre. E dhimbshme është dita për mijëra familjarë të tjerë të cilët ankthi i pritjes nuk ka fund. Fëmijë, tani të rritur, bashkë me pritjen për një përgjigje, pleq që nuk dinë për fatin dhe vendndodhjen e trashëgimtarëve të tyre. Nuk ka fjalë që përshkruan boshllëkun tuaj, e ndonëse janë shumë të vogla përballë dhimbjes per të dashurit tuaj, fjalët tona duhet të thuhen e përsëriten me zë të lartë", ka thënë Kurti.

Ai ka shtuar se masakra në Rezallë është dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për dy dekada, theksoi, se familjarët nuk lejuan të heshtën krimet serbe që ndodhën në luftë.

Kurti: S’ndalemi derisa t’ua sjellim fëmijët në vendlindje dhe drejtësinë për ta

"Nuk mund të ndalemi derisa t’ua sjellim fëmijët në vendlindje dhe drejtësinë për ta. Ne kemi për detyrë që të këmbëngulim te Serbia si përgjegjëse për zhdukjen e tyre që sa më shpejt të zbardhet fati i të zhdukurve me dhunë. Për këtë arsyeje të zhdukurit janë çështja e parë në raportin e Kosovës me Serbinë. Për këtë arsyeje kemi insistuat në çdo takim për hapjen e arkivave dhe nxjerrjen e informatave edhe për varrezat e tjera masive. Përgjegjësit e krimeve të luftës vazhdojnë të cilësohen si heronj në Serbi dhe të mbajnë role publike, nga të cilët vazhdojnë të promovojnë politikat e njëjta që sollën kaq shumë shkatërrim e vuajtje për ne dhe për rajonin", ka thënë Kurti.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se këta trupa po kthehen sërish në vendlindjen e tyre, ku i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë, që të tregojë për vendndodhjen e kosovarëve.

Jashari: Bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion mbi Serbinë

"Si komunë sapo të përfundojnë procedurat ligjore do të kujdesemi për rivarrimin e më të dashurve në kompleksi e varrezave të masakrës në Rezallë. Para eshtrave të tyre bëj apel që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion mbi Serbinë, e cila tash e 22 vjet pas luftës ende mban peng eshtrat, ende nuk ka dhënë përgjegjësi", ka deklaruar Jashari.

Djali i veprimtarit të zhdukur Ukshin Hotit, Andini i cili është edhe kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, tha se masakra e 5 prillit kthen kujtimet më të tmerrshme me varrimin e shtatë trupave dhe dy ribashkimeve.

Hoti: Nuk mund të shërohen plagët dhe dhimbja

"Jemi të vetëdijshëm që nuk mund t'ua heqim dhimbjen dhe plagën nuk mund ta shërojmë, por uroj që t’ua kemi lehtësuar sado pak... Instituti i Mjekësisë Ligjore bashkë me ne do t'i merr trupat nga këtu për ekzaminim të mëtutjeshëm në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Pastaj në koordinim me familjarët do t’u dorëzojmë dhe organizojmë ceremoninë e varrimit", ka deklaruar Hoti.

Sot janë kthyer trupat e Shefqet Zabelit, Sadri Zabelit, Dibran Rukollit, Jonuz Rukollit, Etem Deliut, Nazir Deliut dhe Nazif Hoti që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë. Bashkë me ta ishin varrosur në këtë varrezë masive edhe Vesel Deliu dhe Behram Rukolli, eshtrat e të cilëve ishin gjendur në Rudnicë të Rashkës. 

--------

(E plotësuar 14:55)- Në pikën kufitare në Merdare kanë arritur shtatë trupat dhe dy të tjerë të cilët janë ribashkim që i takojnë masakrës së kryer nga forcat serbe në Rezallë.

Instituti i Mjekësisë Ligjore do të ekzaminojë sërish këta trupa, e më pas do të organizohet ceremonia e varrimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se kanë për detyrë që para Serbisë të këmbëngulin për drejtësi dhe të dihet për fatin e mbi 1600 personave.

"E madhe është dhimbja e kësaj dite, i dhimbshëm dhe i ftohtë ky ritakim i familjarëve. Nuk ka fjalë që mund të plotësojë boshllëkun për më te dashurit e juaj. Masakra në Rezallë është dëshmi e gjenocidit në Kosovë. Sot pas 22 vjetësh na u kthyen personat që ishin groposur në Kizhevak të Serbisë", ka thënë Kurti.

"Qeveria jonë është duke ndërmarrë gjitha hapat për drejtësi për viktimat që në të ardhme të mos përsëriten kurrë këto krime", ka shtuar ai.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari tha se këta trupa po kthehen sërish në vendlindjen e tyre. Ai ka bërë thirrje që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presion ndaj Serbisë, që të tregojë për vendndodhjen e personave të pagjetur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Ndërsa Andin Hoti, i biri i veprimtarit të zhdukur të çështjes kombëtare Ukshin Hoti, tha se masakra e prillit 1999 rikthehet sot në kujtimet e tmerrshme me varrimin e shtatë trupave dhe dy ribashkimeve.

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mori sot pjesë para arkivoleve të viktimave të masakrës së Rezallës, të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak të Serbisë, që u kthyen sot në Kosovë.

Kryeministri i vendit Albin Kurti tha se janë bërë 8215 ditë nga mungesa e përgjigjes për familjarët rreth vendndodhjes së më të dashurve të tyre.

Kurti tha se dita e sotme është e rëndë, pasi fëmijët janë rritur duke pritur përgjigje për më të dashurit e tyre.

“Nuk ka fjalë që mund të plotësoj boshllëkun e mungesës për të dashurit tuaj”, tha mes tjerash kryeministri.

Kryeministri Kurti tha se duhet të dëgjohemi më shumë se ata që e mohojnë gjenocidin, duke theksuar se masakra e Rezallës është dëshmi e gjenocidit.

“Kjo këtu është e vërteta që mbulohet. Tërë këto vite ishit ju familjarë që thyhet heshtjen dhe mizoritë që ndodhën”, u shpreh ai.

Për këtë arsye, Kurti tha se të zhdukurit janë cështja e parë që diskutohen në dialogun me Serbinë.

Kurti theksoi se Përgjegjësit e krimeve të luftës vazhdojnë të cilësohen si heronj në Serbi dhe promovojnë politika shoviniste.

 

(E plotësuar 14:36) - Arkivolet e viktimave të masakrës së Rezallës kanë arritur në Kosovë.

Për t’i pritur këto arkivole aty është parë kryesuesi i Komisionit Qeveritar për të Pagjeturit, Andin Hoti, kryetari aktual i Skënderajt, Bekim Jashari dhe Sami Lushtaku.

Për homazhe para arkivoleve të viktimave do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ndërkaq, eshtrat e këtyre trupave janë zhvarrosur nga varrezat masive në Rashkë të Serbisë.

Riatdhesimi i këtyre trupave është duke u realizuar me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Po ashtu, edhe ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, ka publikuar disa fotografi në momentin e arritjes së arkivoleve

Image
Arrijnë trupat e viktimave në masakrën e Rezallës

***

Pranë pikës kufitare në Merdare, familjarë, të afërm nga Rezalla dhe organizata joqeveritare po presin trupat e më të dashurve të tyre. Aty janë ngritur një tendë, ku janë hapësirat në të cilat do të vendosen arkivolet. Kurse, më pas do të bëhen nderime për shtatë prej trupave që janë identifikime të reja dhe dy ribashkim i trupave që u gjetën në vitin 2014 në Rudnicë.

Këta trupa po zhvarrosen nga varrezat masive në Kizhevak të Serbisë, ndërsa do të priten në pikën kufitare në Merdare.

Riatdhesimi i shtatë trupave të viktimave po realizohet me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës-Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes

Vetëm në fazën e dytë të gërmimeve të vazhduar më 5 maj, janë gjetur shtatë trupa.

Përkundër fakteve të fshehjeve të krimit, asnjë person ende nuk është i dënuar.

Kosova po kërkon përgjigje për 11 lokacione të tjera, ku dyshohet për trupat e shqiptarëve, të cilët u vranë, masakruan e u zhdukën.

Në territorin e Serbisë, në katër lokacione të tjera janë zbuluar varreza masive me trupat e mbi 940 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999. Tash e pesë vjet në Kizhevak të Rashkës janë kërkuar mbetjet mortore të personave që u vranë e u zhdukën gjatë luftës.

Image
Pamje nga vendi i ngjarjes
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat