Ish-ambasadori: Marrëveshja për targat ia hap derën Asociacionit

Aktuale

Ish-ambasadori: Marrëveshja për targat ia hap derën Asociacionit

Më: 30 shtator 2021 Në ora: 22:05
Arbër Vllahiu

Analisti politik Arbër Vllahiu ka thënë se marrëveshja për targat e arritur mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel është më e shpejta që është arritur ndonjëherë në aspektin teknik.

Ai vlerëson se e njëjta është hap prapa, pasi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e kthen në nivel teknik.

“Në aspektin teknik kjo është marrëveshja më e shpejtë e arritur. Nëse e shohim teknikisht kur janë mbajtur takimet dhe mënyra se si është zhvilluar del se është marrëveshja që është arritur më së shpejti. Besnik Bislimi dje e paralajmëroi krejt çka do të ndodhë gjatë ditës së sotme, pra marrëveshja është kryer dje derisa sot ka qenë vetëm pjesa e përafrimit”.

“Unë mendoj që marrëveshja e kthen dialogun në nivel teknik. Kemi pasë përparim drejt një procesi që çonte drejt përmbylljes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe kryesisht flitej për pjesën përfundimtare e cila ka të bëjë me njohjen reciproke. Kanë qenë dy takime të kryeministrit kosovar Albin Kurti me presidentin serb Aleksandar Vuçiq ku në të dyja është folur pikërisht çështja dhe fakti i përmbylljes së këtij dialogu. Ky dialog teknik është kthyer sërish me këtë marrëveshje, derisa BE-ja e ka paralajmëruar se duhet që të gjitha marrëveshjet teknike që nuk janë zbatuar duhet të shikohen dhe të zbatohen”.

Ish-ambasadori i Kosovës në Republikën Çeke ka deklaruar se marrëveshja e arritur sot mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel i paraprin Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ajo që është shumë e rëndësishme është që i kemi hapur derën Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Disa orë pas marrëveshjes atë që e thotë BE-ja është pikërisht marrja në dijeni nga pala serbe e moszbatimit të marrëveshjes për asociacionin. Nëse është përmendur decidivisht dhe në mënyrë implicite ose eksplicite, marrëveshja për asociacionin do të duhej që të shtrohej tani për diskutim ku pala serbe do të jetë shumë më e fokusuar në këtë marrëveshje dhe unë besoj se kjo marrëveshje do të jetë pjesa për të cilën nuk do të heqë dorë pala serbe”.

Vllahiu ka thënë se me marrëveshjen e fundit është nxitur edhe zbatimi i Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999.

“Kush mund ta kthejë tani moszbatimin e kësaj rezolute? A do të jetë tani më e fuqishme një zyre shumë e vogël e UNMIK-ut në Prishtinë? EULEX-i është këtu me Rezolutën 1244 dhe i cili ka qenë shumë i angazhuar këto ditë, ndoshta jo drejtpërdrejt, në vëzhgimin e situatës të asaj që po ndodh në veriun e Kosovës. Në situata të këtilla ne kemi zyrën e UNMIK-ut që bën një lloj ndërmjetësimi mes pjesës veriore dhe institucioneve të tjera, gjë që ka ndodhur gjithmonë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat