Zhvillimet në veri, Kurti takohet me stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës

Aktuale

Zhvillimet në veri, Kurti takohet me stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 15:44
Kurti gjatë takim me stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës me në krye drejtorin Samedin Mehmeti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar Policinë e Kosovës, për angazhimin gjatë 13 ditëve në pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak.

Kurti ka thënë se Policia e Kosovës, sidomos Njësia Speciale, ka treguar se është profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe të ofrojë rend e siguri, pa dallim.

Kurti këtë e ka thënë gjatë takim me stafin e lartë menaxhues të Policisë së Kosovës me në krye drejtorin Samedin Mehmeti.

“Kryeministri Kurti falënderoi dhe u shprehu mirënjohje të gjithë punonjësve të Policisë së Kosovës, të cilët me angazhimet e tyre për 13 ditë me radhë treguan sjellje profesionale, përkushtim të pashoq për mbrojtjen e vendkalimeve dhe policëve kufitarë që po zbatojnë reciprocitetin e targave të automjeteve, si dhe dëshmuan se Policia e Kosovës është e ndërtuar sipas standardeve evropiane, në shërbim të vendit dhe qytetarëve të saj. Me këtë vetëmohim e qëndrim profesional në çdo veprim të çdo punonjësi të Policisë së Kosovës, u vërtetua se ndër objektivat kyçe të Policisë së Kosovës mbetet zbatimi i ligjit, ruajtja e rendit e qetësisë publike dhe lëvizjes së lirë, duke garantuar kufij të hapur, mirë të kontrolluar dhe të sigurtë, tha kryeministri Kurti. Ai e vlerësoi lartë punën, angazhimin dhe përkushtimin maksimal, sidomos të Njësisë Speciale të Kosovës, e cila me sjelljen e dinjitetshme përkundër provokimeve të lloj-llojshme, dëshmoi se është profesionale dhe e gatshme të mbrojë sovranitetin e shtetit dhe të ofrojë rend dhe siguri anë e mbanë, pa dallim”, thuhet nga Zyra e Kryeministrit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat