Kush fiton më shumë komuna në zgjedhje, analistët japin parashikimet

Aktuale

Kush fiton më shumë komuna në zgjedhje, analistët japin parashikimet

Më: 4 tetor 2021 Në ora: 00:45
Foto ilustrim

Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbajtja e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, kanë filluar të shfaqen më shumë sondazhe e parashikime për rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

Analistët kanë analizuar garën zgjedhore duke bërë edhe disa parashikime.

Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se LVV do të del si partia më e votuar në Kosovë, por sipas tij gjasat janë që kjo parti të mos fitojë më shumë komuna se partitë tjera.

Ai thotë se disa parti si AAk e LDK kanë performuar më mirë në zgjedhje lokale se ato qendrore.

“Në komunat ku është duke qeverisur AAK gjasat janë shumë të mëdha që të fitojnë përsëri, pasi kryetarët e komunave kanë pëlqyeshmëri të madhe në publik. Gjini, sikurse edhe Muharremaj në Suharekë e Latifi në Rahovec  dhe të tjerët pëlqehen nga qytetarët dhe fitojnë pa balotazh. Klinë, Deçan, Junik fiton AAK poashtu. Istogu do të ketë balotazh LDK-AAK. Për LDK-në është raportuar disa herë, edhe sipas sondazheve që Lipjanin dhe Pejën e fitojnë pa balotazh. Edhe Gjilanin e kanë afër por duket se do të ketë balotazh. Në Vushtrri LDK i ka gjasat reale për të fituara. Viti fiton LDK e poashtu në Fushë Kosovë fiton LDK-ja. LVV qartazi po synon qytetet e mëdha si Prishtina, Prizreni e po synon ta mbajë edhe Podujevën. Gjasat janë reale që në balotazh të gjitha partitë tjera të bëhen bashkë kundër LVV-së. PDK fiton në Drenas, Ferizaj, Shtime. Në Mitrovicë janë në garë”, ka deklaruar Ymeri në “Debat Plus”.

Astrit Gashi thotë se në disa komuna do të ketë balotazh.

Ai thotë se situata sa i përket sondazheve është e paparashikueshme pasi sipas tij ka përmbysje në një kohë kaq të shkurtër.

“Mendoj se situata më shumë i ngjason zgjedhjeve lokale të vitit 2017 se zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021”, deklaroi Gashi.

Ylli Hoxha thotë se edhe ndarja e pushtetit në nivel lokal nuk është e njëjtë.

“Kryeqyteti është gara kryesore. Pastaj gjashtë qendrat rajonale është gara e dytë më e rëndësishme. Pastaj vjen numri i komunave. E para Prishtina shkon te LVV-ja. E dyta LVV merr shumë lehtë edhe dy nga gjashtë qendrat rajonale. Mund t’i fitojë edhe katër”.

Hoxha thotë se përqindja e lartë që LVV ka fituar në zgjedhje këtë vit e bënë këtë parti si favorite për të hyrë në balotazh e fituar në shumicën dërrmuese të komunave.

“Duke qenë në pushtet është shumë e natyrshme që kjo parti do të ketë përparësi për të bërë aleanca edhe në balotazh”.

Hoxha thotë se AAK do të jetë në garë Deçan, Gjakovë, Klinë, Junik, Suharekë, Rahovec. Sipas tij LDK del parti e parë ose është në garë në Pejë, Lipjan, Fushë Kosovë, Gjilan, Viti dhe Vushtrri dhe Istog.

LVV sipas Hoxhës është në garë për të fituar në Prishtinë, Podujevë, Mitrovicë, Prizren, Kaçanik, Kamenicë. Ai thotë se në Gjakovë do të jetë garë e ngushtë mes LVV e AAK.

Hoxha thotë se PDK është në garë në Ferizaj, Shtime e Drenas.

Për Malishevën e Dragashin ai thotë se nuk mund të parashikojë pasi tri parti janë në garë.

Dardan Gashi ka dhënë këto parashikime: AAK fiton në Deçan, Junik, Gjakovë, Rahovec, Suharekë. Sipas tij AAK e par është e para edhe në Klinë por ka një garë të ngushtë me PDK-në e LDK-në.

LDK sipas Dardan Gashit fiton në Pejë, Istog, Vushtrri, Fushë Kosovë, Lipjan, Gjilan, Viti.

Gashi thotë se LVV del e para në Prishtinë, Podujevë e Prizren por që sipas tij Prizrenin pas raundit të dytë e fiton PDK-ja.

PDK sipas Dardan Gashit fiton në Ferizaj, Mitrovicë, Skenderaj, Drenas, Shtime, Kaçanik, Dragash.

Nisma sipas Gashit fiton Malishevën.

Gazmir Raci ka dhënë parashikimet e tij për zgjedhjet e 17 tetorit.

Sipas tij AAK merr Suharekën në një garë të fortë. Rahovecin, Junik, Deçan, në Klinë del e para.

LVV sipas tij merr Prishtinën, Prizrenin, Mitrovicën, Podujevën, del e para në Pejë dhe Gjakovë. Gjilani do të jetë surprizë e mirë për LVV-në.

Raci thotë se LDK merr Istogun, Vushtrrinë, Fushë Kosovën, Lipjanin, Vitinë.

Analisti thotë se PDK fiton në raundin e parë Skenderaj, Drenas, Shtime, Han të Elezit, Ferizaj, del e para në Dragash.

Nisma sipas tij mban Malishevën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat