BE pret më shumë bashkëpunim mes Qeverisë e Kuvendit në reformat e agjendës evropiane

Aktuale

BE pret më shumë bashkëpunim mes Qeverisë e Kuvendit në reformat e agjendës evropiane

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 12:21
Foto Ilustrim

(E plotësuar 13:29) - Konsensusi i partive politike për reformat e agjendës evropiane dhe incentiva politike nga ana e BE-së për Kosovën po vlerësohen të jenë faktorë kyç në implementimin e agjendës evropiane ERA II. Ndërkohë opozita adresoi kritika për Qeverinë Kurti duke thënë se nuk ka implementim të reformave duke punësuar militantë partiakë nëpër borde.

Përfaqësuesja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Katerina Lopo duke kërkuar unitet politik në implementimin e agjendës evropiane, tha se të gjithë kanë përgjegjësi në përshpejtimin e implementimit të ERA-s.

Gjatë fjalës së saj në tryezën “Agjenda për Reforma Evropiane II”, të organizuar nga PIPS dhe Lëvizja FOL, Lopo theksoi se presin nga Qeveria dhe Kuvendi vendime që nuk janë në kundërshtim me ERA-n. Ajo tha se pas dy vjetësh pret të ketë të zbatuar planin e veprimit të ERA II.

Lopo: Nevojitet unitet që të vazhdojmë me implementimin e ERA-s

“Të gjithë ne kemi përgjegjësi të madhe për të përshpejtuar reformat e BE-së. E di se ka pasur shumë paqëndrueshmëri politike, bashkëpunimi i institucioneve do të ishte i mirë, por mendojmë që kemi një qeveri të re dhe një ERA të re, për të cilën do të thosha se është ERA e vjetër... Nevojitet unitet, gatishmëri e madhe politike që të vazhdojmë me këto reforma të thella që do të donim t’i shohim të realizohen. Do të donim shumë që shoqëria civile të jetë e angazhuar në mënyrë proaktive në monitorim të zbatimit të ERA-s... Do të donim të shohim më shumë fokus në reformat që ndërlidhen me BE-në dhe do të donim të shohim më shumë bashkëpunim mes Qeverisë dhe Kuvendit, që të ketë më shumë konsensus”, tha Lopo.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane Blerta Deliu-Kodra adresoi kritika për Qeverinë Kurti, duke thënë se nuk zbatohet agjenda evropiane duke punësuar militantë partiakë nëpër borde.

Deliu – Kodra: Ka një shpërputhje të prioriteteve që ka qeveria në krahasim me ERA II

“U diskutua arritja e konsensusit ndërmjet forcave... Unë nuk do të them që ne do të revanshohemi, sepse ju e dini që në të kaluarën partia e cila sot udhëheq me qeverinë nuk ka miratuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, që ka qenë dokument shumë i rëndësishëm dhe kontrata e parë më BE-në. Ne nuk do ta bëjmë të njëjtën... Ka një shpërputhje të prioriteteve që ka qeveria, në shumicën e rasteve ka një shpërputhje të thellë ndërmjet planeve që i ka Qeveria dhe kërkesave që ne duhet të implementojmë për të përmbushur agjendën evropiane... Nuk mund të kemi qeverisje të mirë nëse qeveria i mbushë bordet me militantë partiakë e politikë. I kemi më shumë se 6 muaj të qeverisë, edhe ERA parasheh që këto trupa të bordeve të përbëhen nga persona profesionalë”, tha Kodra-Deliu.

Edhe drejtori i Institutit EPIK, Demush Shasha ishte kritik për mungesën e përfaqësuesve të institucioneve në këtë diskutim për agjendën evropiane ERA II.

Ai tha se është zhgënjyese që procesi i integrimit evropian është pakuar dhe se dialogu vjen para zgjerimit.

Shasha: Procesi i integrimit vuan nga mungesa e një incentive të qartë

“Ky proces, që nga fillimi e deri më tani vuan nga mungesa e një incentive të qartë, pra cila është incentiva e qartë e Kosovës për të ndërmarrë këto reforma. Krejt dakord, ‘këto reforma janë për të mirën e juaj’ etj., por në këso reforma duhet të ketë një incentivë të tillë që e karakterizon procesin integrues... Nëse shikojmë mbrapa në kohë, e shoh shumë të vështirë progresin e këtij procesi pa një qartësi sa i përket incentivës të Kosovës nga ky proces, dhe kjo në rastin tonë është më dramatike për shkak të përvojës që kemi me liberalizim të vizave... Përvoja e ERA-s na ka treguar që ekziston një hendek mes çfarë kryeministri thotë dhe çfarë kryeministri bën”, tha Shasha.

Prezantimin e analizës së PIPS e bëri Delfinë Elshani, e cila tha se në vitin 2019 janë zbatuar 74 për qind të prioriteteve të ERA I.

Sa i përket ERA II ajo tha se është kritike të kapërcehen pengesat e përjetuara më parë, për çka dha edhe rekomandimet që kanë përpiluar.

Elshani: Qeveria të ketë qasje më proaktive në zbatimin e reformave të agjendës evropiane

“Gjatë hartimit dhe miratimit të ligjeve dhe dokumenteve të ndryshme duhet të shmanget logjika e ‘ticking the box’, në mënyrë që këto iniciativa të kenë një ndikim sa më pozitiv në mirëqenien e qytetarëve dhe të sigurojnë rezultate të prekshme në sundim të ligjit, në zhvillim ekonomik dhe në përmirësim të perspektivës së arsimit dhe guximit. Një rekomandim tjetër është edhe forcimi i bashkëpunimit mes të gjithë akterëve, bizneseve, shoqërisë civile. Qeveria duhet të ndërrojë qasjen dhe duhet të ketë një qasje më proaktive në përshpejtim të zbatimit të këtyre reformave në mënyrë që të arrihen rezultate sa më të dukshme... Gjithashtu, institucionet të cilat nuk zbatojnë veprimet si në kohë apo edhe dështojnë në zbatim të përgjithshëm, duhet të mbahen përgjegjëse”, tha Elshani.

Ndërsa Venera Ramaj nga Ambasada e Holandës tha se është e rëndësishme që të intensifikohet përpjekjet për zbatimin e reformave të BE-së, pasi ato janë kyçe për integrimin e vendit.

Qeverisë i kërkohet të përshpejtojë zbatimin e reformave për agjendën evropiane

Konsensusi i partive politike për reformat e agjendës evropiane dhe iniciativa politike nga ana e Bashkimit Evropian për Kosovën po vlerësohen të jenë faktorë kyç në implementimin e agjendës evropiane ERA II. Ndërkohë opozita adresoi kritika për Qeverinë Kurti II, duke thënë se nuk ka implementim të reformave duke punësuar militantë partiakë nëpër borde.

Përfaqësuesja Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Katerina Lopo duke kërkuar unitet politik në implementimin e agjendës evropiane, tha se të gjithë kanë përgjegjësi në përshpejtimin e implementimit të ERA-s.

Gjatë fjalës së saj në tryezën “Agjenda për Reforma Evropiane II”, të organizuar nga PIPS dhe Lëvizja FOL, Lopo theksoi se presin nga Qeveria dhe Kuvendi vendime që nuk janë në kundërshtim me ERA-n.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh anëtare e Komisionit për Integrime Evropiane, Blerta Deliu-Kodra, tha se do të ishte mirë që në këtë tryezë diskutimi sot të ishte edhe zëvendëskryeministri Bislimi.

Ndërkohë që adresoi kritika për qeverinë Kurti II, duke thënë se nuk zbatohet agjenda evropiane duke punësuar militantë partiakë nëpër borde.

Venera Ramaj nga Ambasada e Holandës, tha se është e rëndësishme që të intensifikohet përpjekjet për zbatimin e reformave për të cilat janë dakorduar.

Edhe drejtori i instituti EPIK, Demush Shasha ishte kritik për mungesën e përfaqësuesve të institucioneve në këtë diskutim për agjendën evropiane ERA II.

Ai tha se është zhgënjyese që procesi i integrimit evropian është pakuar dhe se dialogu vjen para zgjerimit.

Kurse prezantimin e analizës së PIPS e bëri Delfinë Elshani, e cila tha se në vitin 2019 janë zbatuar 74 përqind të ERA I.

Sa i përket ERA II, ajo tha se është kritike të kapërcehen pengesat e përjetuara më parë, për çka dha edhe rekomandimet që kanë përpiluar.

"Duhet të bëhet shmangia e logjikës 'tricking the box' kur hartohen dhe miratohen ligje, rregullore e strategji; duhet pasur parasysh mungesën e rezultateve konkrete në avancimin e agjendës evropiane, pasi nevojitet forcimi i bashkëpunimit midis të gjithë akterëve; qeveria duhet të zbatojë një qasje pro-aktive për të përshpejtuar zbatimin e reformave dhe për të arritur rezultatet e dëshiruara; institucionet që nuk zbatojnë veprimet e nevojshme duhet të mbajnë përgjegjësi", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat