Komandanti i KFOR-it: Përvoja ime në Kosovë ka qenë krenari e madhe

Aktuale

Komandanti i KFOR-it: Përvoja ime në Kosovë ka qenë krenari e madhe

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 18:31
Franco Federici

Komandanti i KFOR-it gjeneralmajor Franco Federici ka thënë se përvoja e tij njëvjeçare në Kosovë ka qenë krenari e madhe.

Ai, në një intervistë ekskluzive deklaroi se edhe raporti i tij me kosovarët ka qenë i mrekullueshëm.

“Dhe unë jam vërtetë krenar për secilin ushtar të KFOR-it, këta ishin vërtetë të mrekullueshëm, bënë një punë të madhe, secilën ditë me shumë përkushtim, profesionalizëm dhe, mund të them, çdo ditë me kapacitet për t’u përballur me situatat. Secili ushtar e ka kuptuar situatën, si të sillen me njerëzit, dhe kjo për mua si komandant është e mrekullueshme”.

“Kjo nuk është e tëra. Mund të them se përvoja ime këtu ka qenë e mrekullueshme edhe në raport me qytetarët. E kam ndjerë besimin te të gjitha komunitetet në Kosovë dhe kjo është po ashtu shumë e rëndësishme për një komandant të KFOR-it. Dhe, në fund, më lejoni ta përmend marrëdhënien e jashtëzakonshme me institucionet e Kosovës dhe të gjitha organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë. Një marrëdhënie shumë e hapur, transparente, që mendoj se e ka bërë ndryshimin”.

I pari i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, që së shpejti do ta lë këtë post, ka folur edhe për pandeminë COVID-19 dhe ndikimin që e kishte te ushtarët.

“Pandemia e ka ndryshuar shumë jetën tonë, jo vetëm në aspektin civil, por edhe në ushtri. Natyrisht, jam shumë krenar me ushtarët e mi sepse i kanë respektuar të gjitha masat preventive, sepse ishte e nevojshme të zbatohen edhe në KFOR, dhe për shkak të përgjegjësisë që kanë, ne kemi mundur ta mbajmë misionin tonë pa u ndikuar në aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar, nëse do të ishte e nevojshme. Dhe jo vetëm. Ne u ndihmuam edhe institucioneve të Kosovës, komuniteteve, me disa aktivitete, dhuruam edhe donacione të maskave, patëm edhe ekipe për dezinfektimin e shkollave dhe zyrave publike. Kështu që, sigurisht se ishte kohë sfiduese që e komplikoi pakëz misioni, por përsëri, jam shumë krenar me ushtarët e mi që ishin në gjendje të vazhdojnë që ta mbajnë misionin tonë”.

Gjeneralmajor Franco Federici do ta dorëzojë detyrën të premten tek Ferenc Kajar nga Hungaria, shtet ky që për herë të parë e merr komandën e KFOR-it në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat