Nisin hetimet, kush i nxori informacionet për aksionin e Policisë kundër kontrabandës?

Aktuale

Nisin hetimet, kush i nxori informacionet për aksionin e Policisë kundër kontrabandës?

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 20:29
Pamje nga veriu i Kosovës

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetime rreth dyshimeve se aksioni i Policisë, që u zhvillua më 13 tetor, kundër kontrabandës me mallra në veri, u dekonspirua një natë më herët.

Nga IPK kanë konfirmuar se hetimet kanë filluar lidhur me rrjedhjen e informacioneve për këtë operacion.

“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës  sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar me dyshimin për zbulim të paautorizuar të informacionit  për operacionin policor të datës 13.10.2021, të zhvilluar nga PK-ja në Mitrovicën e Veriut”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Policë e qytetarë dje u lënduan, kurse gazetarë shqiptarë e serbë ishin cak i sulmeve gjatë protestës së serbëve lokalë ndaj aksionit të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës së mallrave. Tetë persona janë arrestuar, tre prej të cilëve më pas u liruan, ndërsa dhjetë të tjerë janë ende në kërkim.

Për dyshimet e rrjedhjes së informacioneve ka folur dje edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

“Dyshohet se ka pasur rrjedhje të informacionit, po hetohet kjo. Nga 9 lokacione në veri, tetë s’kanë mundur të realizohet operacioni se qytetarët kanë penguar zhvillimin e operacionit. Si pasojë 10 zyrtarë kanë pësuar lëndime, 7 shqiptarë, tre prej tyre hetues, tre operatorë të njësisë speciale e tre të reagimit të shpejtë”, tha drejtori i Policisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat