Tri ditë para zgjedhjeve PDK-ja përjashton një zyrtar të saj

Aktuale

Tri ditë para zgjedhjeve PDK-ja përjashton një zyrtar të saj

Më: 14 tetor 2021 Në ora: 22:23
PDK

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Klinë sapo ka marrë vendim për përjashtimin e zyrtarit të saj nga radhët e PDK-së, Haxhi Ibishi.

PDK-ja e Klinës Ibishin e ka quajtur si ngarendës pas pushteteve e pas çdo parie që i jep atij ndonjë përfitim personal.

Ata kanë thënë se ky vendim për përjashtimin e Ibishit nga partia, vjen pasi i njëjti përveç tjerash, është angazhuar edhe në fushatë kundër kandidatit të kësaj partie për Klinë Esat Raci.

Ibishi është përjashtuar nga të gjitha funksionet dhe anëtarësia e kësaj partie.

Njoftimi i plotë:

“Të nderuar anëtarë dhe simpatizantë të PDK-së.

Në këtë dinamikë të punëve të secilit nga ju në zgjedhjet lokale, synim parësor kemi rikthimin e PDK-së në qeverisjen komunale, me ç’rast do të rikthejmë edhe besimin qytetar në institucione.

PDK-ja deri me tani gjithnjë është mbështetur fuqishëm tek anëtarët themeltar të PDK-së, ku shumica prej tyre sot janë veteranë të partisë dhe janë vlera të çmuara brenda nesh. PDK ka qenë e hapur për të gjithë ata individ të cilët kanë pasur bindjet e njëjta me PDK-në dhe janë pranuar si vlera duke iu dhënë hapësirën e mjaftueshme parësore në harmoni me objektivat e PDK-së duke u bërë kështu bashkë në rrugëtim drejtë sfidave në vazhdim, përjashtuar ata që aderimin e tyre në PDK e kanë kuptuar si kartë për t’ia hapur rrugën dhe realizuar qëllimet e tyre meskine dhe egoiste dhe për t’i realizuar vetëm objektivat personale dhe familjare. Soji dhe sorrollapi i tyre nuk mund të tolerohet që të livadhisë brenda strukturave të PDK-së dhe të flasin edhe më tej në emër të PDK-së. Një i tillë është edhe Haxhi Ibishi, ngarendës mbas çdo partie që i ofron një përfitim personal, duke i ndërruar ato më shpesh se sa “këmishat në trup”. Tani së fundmi qenka rikthyer për të lëpirë atë që e ka pështyrë plot tetë vite me radhë. Duke u thirrur në emër të PDK-së dhe njëkohësisht duke qenë aktiv në fushatë anti PDK dhe kundër kandidatit për kryetar të komunës nga radhët e PDK-së, Esat Racit, i lartpërmenduri ka bërë shkelje të rënd të statutit dhe parimeve të PDK-së.

Pas shumë diskutimeve për këtë çështje në kryesinë e PDK-së, Dega në Klinë, u vendos unanimisht si në vazhdim:

PËRJASHTOHET Haxhi Ibishi, nga të gjitha funksionet në PDK dhe nga anëtarësia e PDK-së. Veprim ky i bazuar në rregulloren dhe statutin e PDK-së.
Me këtë rast njoftoj të gjithë qytetarët, e sidomos anëtarët dhe simpatizantët e PDK-së se Haxhi Ibishi nuk mund të thirret më në emër të PDK-së.

Të nderuar anëtarë, simpatizantë dhe struktura të PDK-së, ju bëjmë thirrje që të angazhoheni seriozisht edhe në këto ditë sa kanë mbetur deri në ditën e votimit dhe t`i japim fund kësaj qeverisje të keqe që ka qenë , duke e rikthyer PDK aty ku e meriton, në qeverisjen Komunale. Duke e vendosur Esat Racin kryetar të Komunës i hapim rrugën PDK-së që të punojë në shërbim të qytetarëve ashtu siç kemi dhënë prova për dhjetë vite të qeverisjes sonë. Ne do t’i vazhdojmë projektet aty ku i kemi lënë, gjithnjë së bashku me qytetarin dhe për qytetarin”, thuhet në njoftimin e PDK-së, Dega në Klinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat