“Shpërthen” Enver Hasani pas humbjes së Agim Bahtirit: Mitrovica ia mbylli derën mashtruesve e njerëzve pa edukatë

Aktuale

“Shpërthen” Enver Hasani pas humbjes së Agim Bahtirit: Mitrovica ia mbylli derën mashtruesve e njerëzve pa edukatë

Nga: A.ZH Më: 18 tetor 2021 Në ora: 12:24
Enver Hasani

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, ka folur pas humbjes së kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje Agim Bahtiri në Mitrovicë.

Ai ka falënderuar qytetarët që nuk e kanë votuar siç ka thënë ai “mashtruesin” dhe “populistët e rrejshëm”, përcjell Bota sot.

Hasani e ka quajtur njerëz të pa kultivuar dhe pa fije edukate e civilizimi ata që kanë udhëhequr deri tani këtë komunë.

Reagimi i tij në Facebook:

Mitrovicë, unë biri yt, të qofsha falë!

Mitrovicë, unë biri yt, sot të falem deri në përulje, jo për votën tënde që nxori fituesin, por për votën që i mbylli dyert mashtruesve!

Mitrovicë, unë biri yt, sot të falem deri në përulje, jo për votën që nxori fituesin, por për votën që i hapi dyert e theqafjes për populistët dhe fisnikërinë e tyre të rrejshme që ka tronditur plot vende më të qytetëruara se Kosova!

Mitrovicë, unë biri yt, sot të falem deri në përulje, jo për votën që nxori fituesin, por për votën që ua hoqi maskën atyre që shiten si intelektualë e rrethohen me bashibozukë, injorantë, njerëz të pakultivuar e pa fije edukate dhe civilizimi!

Mitrovicë, unë biri yt, sot të falem deri në përulje, jo për votën që nxori fituesin, por për votën që ia ktheu krenarinë qytetit të minatorëve, qytetit që aq shumë i ka dhënë shqiptarisë në politikë, ekonomi, jurisprudencë, art, muzikë, kulturë, sport - qytetit që gati ra në abisin e Mesjetës nga ata që na shiten si të përndritur!

Mitrovicë, unë biri yt, sot të falem deri në përulje, jo për votën që nxori fituesin, por për votën që i dha drejtim civilizues dritëhijes së shigjetës së theqafjes së pakthyeshme të populistëve e që kishin shtrënguar aq fort arsyen e qytetarit të zakonshëm !

Mitrovicë, unë biri yt, sot të falem deri në përulje, jo për votën që nxori fituesin, por për votën me të cilën ti çlirove lakun që kishte shtrënguar arsyen dhe gjykimin politik të kosovarit mesatar!

Mitrovicë, unë biri yt, të qofsha falë përjetë!

Me përulje, unë biri yt: Enver Hasani!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat