Tahiri i PDK-së- Presidentes Osmani: Konstatimi për sistemin e drejtësisë, i pasaktë dhe i turpshëm

Aktuale

Tahiri i PDK-së- Presidentes Osmani: Konstatimi për sistemin e drejtësisë, i pasaktë dhe i turpshëm

Nga: M.L. Më: 21 tetor 2021 Në ora: 09:42
Abelard Tahiri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, komentoi konferencën e djeshme të Presidentes Vjosa Osmani.

Në një postim në Facebook, ai u ndal tek deklarata e presidentes Osmani lidhur me sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Sipas tij, presidentja i bëri pasqyrim të pasaktë realitetit në Kosovë.

Presidentja e vendit, e ngarkuar me barrë personale për shkeljet e saj që i janë evidentuar në raportin e progresit, ngarendi dje në konferencë për shtyp për t’i bërë një analizë të paqëndrueshme gjendjes në sistemin e drejtësisë, duke përbuzur punën e dhjetëra e qindra profesionistëve të këtij sistemi, që në baza ditore përpiqen për ta mbajtur atë në këmbë. Konstatimi se të gjithë mekanizmat e tjerë institucional janë të dështuar, për çfarë vetingu është domosdoshmëri, është jo vetëm konstatim i pasaktë por edhe i turpshëm dhe dëm i madh në pasqyrimin e realitetit të vendit në krye të së cilit, ajo e mbanë pozitën e Presidentes”, shkroi Tahiri në Facebook.

Sipas deputetit të PDK-së, pak muaj u deshën për ta parë qartë, dështimin e mazhorancës së Vjosës dhe Albinit që të sjellin ide konkrete e të qëndrueshme për vetingun, gjë që dëshmon paaftësinë e tyre për ta realizuar një proces të tillë.

Bashkimi Evropian, siç edhe partnerët tjerë strategjik që kanë ndihmuar Kosovën në këtë sektor, asnjëherë nuk kanë konstatuar se vetingu nuk duhet të ndodhë. Por, para se një i tillë të vije në shprehje, e për çfarë qeveria aktuale nuk ka as ide, as dije dhe as formulë, duhet fillimisht të vihen në jetë të gjitha instancat tjera pararendëse, që sigurojnë integritet e llogaridhënie”, u shpreh Tahiri.

Ai tha se ka një tendencë për ta imponuar një proces të vetingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike.

Tendenca për ta imponuar një proces të vetingut mbi bazën e paragjykimit e ngarkesave ideologjike, paralelisht me dështimin për të ofruar një model të qëndrueshëm të bazuar në ligj e kushtetutë, jo vetëm që është shpërfillje e punës dhe përpjekjeve të sistemit, por edhe një masë ideale pas së cilës, është lehtë të fshihet dështimi i qeverisë në baza ditore, për t’i kontribuar konsolidimit të këtij sistemi”, përfundoi Tahiri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat