PZAP anulon zgjedhjet në këtë komunë, pasi kandidati i PDK-së bëri presion dhe bleu vota

Aktuale

PZAP anulon zgjedhjet në këtë komunë, pasi kandidati i PDK-së bëri presion dhe bleu vota

Nga: A.M Më: 21 tetor 2021 Në ora: 16:09
Foto ilustrim

E plotësuar (16:36) - Kandidati i pavarur për kryetar të Hanit të Elezit, Rufki Suma, është ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me procesin zgjedhor që është zhvilluar në këtë komunë, e ku kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Mehmet Balazhi fitoi pa balotazh.

Sipas vendimit të PZAP-së, Suma është ankuar se simpatizantët e PDK-së  kanë bërë presion mbi qytetarët e Hanit të Elezit që të votojnë këtë subjekt politik.

“Më datë 18.10.2021, PZAP-i, ka pranuar ankesë nga kandidati i pavarur Rufki Suma, i cili pretendon se gjatë netëve të fundit të zgjedhjeve lokale në Komunë e Hanit të Elezit simpatizantët e PDK-së, kanë bërë presion mbi qytetarët ku çdo qytetarë e kanë përcjellë me veturë dhe i kanë bërë ultimatum që të mos futen nëpër shtëpi, pra po ashtu dyshojmë se janë shpërndarë mjete për blerje të votave. Parashtruesi i ankesës thekson se e kanë lajmëruar Policinë e Kosovës por të njëjtit nuk kanë dalë për t’i shpërndarë turmën e njerëzve”, thuhet në njoftim.

Kështu PZAP-ja ka urdhëruar KQZ-në që të përsëritet votimi në katër vendvotime.

“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me seli në Prishtinë, ta përsërisë votimin vetëm për kryetar komune në Qendrat e Votimit, nr. 3301d, 3302d, 3303d dhe 3304d të gjitha në Komunën e Hanit të Elezit”, thuhet më tutje në vendimin e PZAP-së.

Kjo komunë ka gjithësej 11 vendvotime.

Sipas rezulateteve të së dielës, pas numërimit të 100% të votave, Mehmet Balazhi i PDK-së doli fitues me 50.98% të votave të përgjithshme.

I dyti doli kandidati i pavarur, Rufki Suma me 42.47% të votave.

Ndërsa, Sherif Berisha i Lëvizjes Vetëvendosje mori vetëm 6.54% të votave. 

***

Eugen Cakolli nga KDI ka njoftuar se janë anuluar zgjedhjet në komunën e Hanit të Elezit.

Cakolli tha se këtë vendim e ka marrë PZAP pasi ka konstatuar se ka pas presion ndaj votuesve dhe shitblerje të votave nga ana e kandidatit të PDK-së.

“Vendimi i PZAP-së konstaton se në Han të Elezit ka pasur minim të integritetit të procesit zgjedhor, si rezultat i presionit ndaj votuesve dhe shitblerjes së votave nga ana e kandidatit të PDK-së”, shkroi Cakolli në Facebook, përcjell “Bota sot”.

Postimi i plotë

Me vendim të PZAP-së, janë anuluar zgjedhjet në komunën e Hanit të Elezit, ku për rrjedhojë do të ketë rivotim.

Vendimi i PZAP-së konstaton se në Han të Elezit ka pasur minim të integritetit të procesit zgjedhor, si rezultat i presionit ndaj votuesve dhe shitblerjes së votave nga ana e kandidatit të PDK-së./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat