​Kurti: Fondi i Ekselencës do të mbështesë iniciativat zhvillimore

Aktuale

​Kurti: Fondi i Ekselencës do të mbështesë iniciativat zhvillimore

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 17:13
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti,

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi sot se Fondi i Ekselencës, mekanizëm ky të cilin do të themelojë Qeveria, do të mbështesë iniciativat e shumta zhvillimore dhe përshpejtimin e reformave në sektorin publik.

Kurti në hapje të diskutimit konsultativ me donatorë, theksoi përkushtimin ndaj reformave dhe vizionin e Qeverisë për të mundësuar zhvillim të qëndrueshëm dhe të shpejtë, në një demokraci që funksionon mirë dhe shoqëri të drejtë.

“Ne duam t'i shtojmë vlerë sistemit tonë demokratik dhe t'u përgjigjemi nevojave të qytetarëve, prandaj duam maksimumin që mund të marrim nga ekspertiza. Një fond i tillë do të mbështesë iniciativat tona të shumta zhvillimore, do të përshpejtojë reformën në sektorin tonë publik dhe do të na ndihmojë të arrijmë objektivat tona prioritare si vend. Dikush mendon që ky synim është shumë ambicioz, por kështu janë ëndrrat dhe shpresat e qytetarëve tanë”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti rikujtoi që për punësimin në pozitat e larta në institucione publike është intervenuar në përmirësimin e përbërjes së Komiteteve vlerësuese, që më parë përbëheshin vetëm nga zyrtarët publikë dhe tani aty bëjnë pjesë edhe specialistë të sektorit privat.

“Aktualisht jemi në procesin e përditësimit të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit dhe objektiv yni është konsolidimi dhe integrimi i të gjithë mekanizmave të rëndësishëm të planifikimit në një plan të vetëm”, tha ai.

Në kuadër të këtyre ndryshimeve janë paraparë katër shtylla kryesore: rritja e shpejtë dhe e qëndrueshme ekonomike, zhvillimi i barabartë njerëzor, siguria dhe sundimi i ligjit dhe qeverisja e mirë, thuhet në një komunikatë për media. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat