Supremja ka një kërkesë nga Gjykata Themelore në Pejë për dënimin me 8 muaj burg për dhunimin e 15-vjeçares

Aktuale

Supremja ka një kërkesë nga Gjykata Themelore në Pejë për dënimin me 8 muaj burg për dhunimin e 15-vjeçares

Më: 27 tetor 2021 Në ora: 10:47
Ilustrim

Lidhur me rastin e publikuar nëpër portalet e  ndryshme të lajmeve për dënimin e të akuzuarit  për veprën penale “Dhunimi”, e që pretendohet se ka pas shkelje ligjore, Kryetari i Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Enver Peci, bazuar në kompetencat që ia jep Ligji Nr. 06/L-057 Për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës Themelore të Pejës, Armend Berisha që të ndërmerr të gjitha veprimet ligjore si kryetar për të adresuar përgjegjësinë disiplinore lidhur me këtë rast.

Kështu thuhet në njoftimin për media të Gjykatës Supreme.

“Kryetari i Gjykatës Supreme zotohet se çdo rast i dyshimtë, pa përjashtim, nga bartësit e funksioneve gjyqësore, do të trajtohet në mënyre efikase dhe të drejtë”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, pas vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, e cila e ka dënuar me vetëm tetë muaj burgim të akuzuarin P.K për dhunimin e një vajze 15-vjeçare në vitin 2012, ka reaguar kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Ai ka kërkuar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Pejë, Agim Kurmehaj, si autoritet kompetent, që të rishqyrtojë lëndën penale të prokurores Lirije Morina dhe nga të gjeturat të ndërmarrë  të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Edhe Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se janë ndërmarrë veprimet për gjetjen e shkeljeve disiplinore apo ndonjë shkelje tjetër eventuale në rastin e dënimit me vetëm tetë muaj burgim të akuzuarin P.K për dhunimin e një vajze 15-vjeçare në vitin 2012.

Sipas komunikatës për medie, kjo është bërë pas koordinimit me Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kërkesës së tij, për shqyrtimin e këtij rasti.

Dënimi me 8 muaj e 8 ditë burgim për personin që dhunoi 15 vjeçaren në Gjakovë nga Gjykata Themelore e Pejës, ka nxitur reagime të shumta.

Lidhur me këtë rast, një ditë më parë pranë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial, u zhvillua një aksion simbolik nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist.

Në këtë aksion simbolik u kërkua të hetohet përgjegjësia disiplinore e gjyqtares së rastit, të shkarkohet gjyqtarja e rastit dhe të ofrohet transparencë e plotë për rastin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat