Saqipi: Lugina e Preshevës nuk do lëmoshë, ajo kërkon zgjidhje

Aktuale

Saqipi: Lugina e Preshevës nuk do lëmoshë, ajo kërkon zgjidhje

Më: 31 tetor 2021 Në ora: 10:15
Nexhmedin Saqipi

Lajmi për miratimin e projektligji të buxhetit të Kosovës për vitin 2022 dhe parashikimin se nga ky buxhet për Luginën e Preshevës, në formë donacioni do të jepen 2 milionë euro për Luginën e Preshevës, ka zgjuar reagimin e politikanëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në Bujanoc dhe rrethinë.

Lidhur me këtë vendim, i cili nga shumëkush u vlerësua historik, reagoi Koordinatori i shoqërisë civile, publicisti dhe analisti politik, Nexhmedin Saqipi, i cili tha, midis tjerash:

“Lugina e Preshevës, nuk do lëmosh, ajo kërkon zgjidhje të statusit të saj politik. Ndihmat janë të përkohshme, kurse problemet e shqiptarëve në Serbi, janë të përditshme dhe të përhershme. Klasa politike, jo e gjitha, natyrisht se një vendim të tillë të Qeverisë Kurti e quajnë historik, sepse përfitojnë nga ky donacion i mirëseardhur për to dhe militantët partiakë. Kështu kanë përfituar edhe më herët dhe u ka mbetur ëmbël, ngase 500 milionët e këtij viti dhe disa mijëra euro të tjera, të cilat i morën pushtetet lokale, i avulluan sikur të mos kishin qenë fare. Ata para nuk i panë e as i shijuan qytetarët edhe këto nëse jepen vitin e ardhshëm nuk do t’i shohin", u shpreh me skepticizëm Koordinatori Saqipi.

Në vazhdim Koordinatori Saqipi, tha se ndihma institucionale e Kosovës është më se e nevojshme, ashtu siç është edhe ajo e shtetit amë, por jo me “vitra”, por me masa konkrete për ta zgjidhur problemin e Luginës mes dy kufijve shtetëror.

"Nuk ka para Kosova, po sikur ta shpraze krejt arkën shtetëror, t’i zbus problemet e shqiptarëve, që kalojnë kufijtë, si është kjo e targave, duke u maltretuar psikikisht dhe financiarisht, nuk ka problem më të madh se sa të zgjidhet problemi i studentëve shqiptarë, të cilat dallohen nga bashkëkombësit e tyre, për shkak statusit shtetëror, ata paguajë semestrat e fakultete dhe banesat me çmime enorme. Ata përkundër vështirësive ekonomike dhe mosnjohjes së diplomave nga Serbia, janë krenarë që studiojnë në Kosovë, për të cilën baballarët e tyre u flijuan e kurrë nuk e panë filmin e bashkimit kombëtar”, tha me bindje të thellë Koordinatori Saqipi.

Në fund, Koordinatori Saqipi, nuk la pa përmendur se këto donacione në këto kohë zgjedhjesh në Kosovë dhe Serbi, për politikanët shqiptarë këndej e matanë kufirit, janë një marketing politik, për t’ju sjellë atyre afinitet në fushatat elektorale.

"Zgjedhjet elektorale kanë nevojë për donacione, e politikanët po i shfrytëzojnë për qëllime personale dhe partiake. Duke i keqpërdorur donacionet kosovare dhe ato të Beogradit, kjo klasë politike ka kaluar kufijtë e dinjitetit njerëzor. Ky veprim që rritet e ushqehet me rrena, të cilat janë më të dëmshme se premtimet dhe dëmet, që vijnë prej tyre, do të marrë fund, vetëm atëherë kur vetëdijesohen qytetarët dhe rinia e tyre, që këto probleme i shohin pa syze, ashtu siç janë dhe kërkojnë qasje tjetër për zgjidhjen e tyre", thotë Koordinatori Saqipi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat