Kujt po i pengon Kosova - qendër rajonale e industrisë ushtarake, amerikane!?

Aktuale

Kujt po i pengon Kosova - qendër rajonale e industrisë ushtarake, amerikane!?

Idriz Morina- Bota sot Nga Idriz Morina- Bota sot Më 1 nëntor 2021 Në ora: 13:44
Ilustrim

Ideja për ta bërë Kosovën një qendër rajonale të industrisë ushtarake, nëpërmjet investimeve amerikane, duket një nga idetë apo konceptet më të fuqishme për të realizuar disa nga pretendimet qenësore të shqiptarëve.

Kjo ide e publikuar nga ministri i Mbrojtjes Armend Mehaj, kryesisht është lënë në heshtje nga mediat, politika dhe nga ekspertët, siç ndodhë me shumë ide dhe koncepte të shëndosha, dhe në dobi të shqiptarëve.

Opozita heshti, edhe pse në këtë rast nuk do të duhej të heshtte. Mediat heshtën edhe pse do të duhej të ishte si një ndodhi, e cila nuk është thjeshtë provokative, por strategjike, dhe madje mund të kthehet në interes jetik.

Kjo merrë rëndësi, sepse sipas ministrit Mehaj, është propozuar dy herë nga ai në dy raste të ndryshme. Herën e parë këtë e kishte shprehur në fjalimin e tij në sesionin për Sigurinë e Evropës në Samitin e ISOA’21, dhe më pas edhe në takimin me këshilltarin e lartë në Zyrën për Shqyrtimin e Investimeve të Huaja në Departamentin Amerikan të Mbrojtjes, z.Andy Michels.

Po ashtu ai ka informuar se “Investitorët amerikan të industrisë ushtarake shprehin vlerësimin e lartë për ofertën time për të investuar në Kosovë me potencialin e veçantë që vendi ynë të jetë qendra rajonale e kësaj industrie në të ardhmen”.

Kjo qasje e ministrit Mehaj, dhe e Qeverisë Kurti, është me rëndësi të jashtëzakonshme dhe ndihmon në realizimin e idesë tjetër, për një bazë të përhershme amerikane në Kosovë. Një ide kjo tjetër, që e kam propozuar edhe unë, në shtator të këtij viti, si mundësi qenësore për ta shpëtuar Kosovën nga rreziku i ndarjes, si dhe për të siguruar një reagim të shpejtë dhe efektiv, përshkak të pengesave burokratike që nxjerrë Rezoluta 1244, në bazë të mandatit të së cilës vepron edhe KFOR-i, pavarësisht që udhëhiqet nga NATO-ja.

Një bazë e përhershme amerikane, ndërton bazën shekullore strategjike të Kosovës, që ministri Mehaj e koncepton, si parandalim edhe të agresivitetit rus.

“Ndër të tjera edhe z.Michels i ritheksova rëndësinë e jashtëzakonshme të vendosjes së bazës së përhershme ushtarake të ushtrisë amerikane në Kosovë, në shërbim të paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe më gjerë dhe pengimit të qasjes destruktive dhe destabilizuese të Rusisë përmes Serbisë në rajon”, ka shkruar Mehaj.

Në kundërshtim me këtë argumentim, dhe interesin e mirëfilltë nacional, ka reaguar të hënën edhe Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili e ka mbivënë interesin e gazit me interesin ushtarak.

“Prezenca e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prezenca e NATO-s është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin tonë. .. mendoj që Qeveria e Republikës së Kosovës para se të shkojë të flasë për punën e prezencës ushtarake, e cila është mjaft e rëndësishme për vendin, mirë është ta trajtojë çështjen e gazit. Të mos e refuzojë një projekt të tillë”, tha Tahiri.

Ky është një nga reagimet e pakta të opozitës sa i përket kërkesës zyrtare të Qeverisë për prani të përhershme ushtarake, gjë të cilën nuk e kishte kërkuar asnjëherë vet PDK-ja sa ishte në pushtet dhe as partitë tjera opozitare.

Pavarësisht këtyre deklarimeve, me pamjaftueshmëri të argumentimit politik dhe as që bëhet fjalë për argumentim shkencor, janë disa arsye pse duhet insistuar për investime amerikane në industrinë ushtarake.

Nisur nga interesi ekomomik, nuk ka asnjë industri më tësigurtë dhe më fitimprurëse në kohëzgjatje.

Nisur nga interesi i punësimit, ajo i jep nxitje të shumëfishtë ekonomisë, dhe mund të shkaktojë një zinxhir investimesh, që në fund përkthehet në numra të punësuarish dhe në fitime ekonomike.

Investimet industriale ushtarake, e ‘betonojnë’ interesin amerikan për prani sa më të gjatë, qoftë të përhershme ushtarake, dhe me prani të sofistikuar të armatimit.

Ndërsa, për ne shqiptarët, i japin mundësi shtrirjes së investimeve, përveç industrisë në gjithë territorin e Kosovës, edhe në këndvështrim të rikthimit të shqiptarëve në veri, pas dëbimit të tyre, ahistorik (që s’ka ndodhur askund në botë, që një popull i çliruar tëdetyrohet t’i braktisë shtëpitë e tij, dhe të jetojë, si them unë muhaxhir në shtetin e tij).

Kosova nuk ka pasur asnjëherë industri ushtarake, pavarësisht se ka pasur kapacitete të pjesshme për prodhim.

Është shansi që Kosova, jo vetëm ta ketë një industri të tillë, por edhe të bëhet e pakonkurrueshme, pasi tashmë ka filluar një epokë e re e industrisë ushtarake, ku teknologjia e dronëve, e deri tek aeroplanët e raketat hipersonike, po shënojnë një garë të re armatimi në botë, kryesisht ndërmjet superfuqive, ndërsa neve na jepet shansi të jemi papritmas të barabartë apo edhe dominues ndaj fqinjëve.

Askush më shumë se Serbia dhe Rusia nuk e duan investimin industrial ushtarak në Kosovë. Pra, kundërshtarët e këtyre projekteve nuk duhet të dalin në anën e Rusisë e Serbisë. Qeveria dhe Kuvendi duhet të nxjerrë legjislacionin përkatës, dhe të përshpejtojë planet, si ato industriale ushtarake edhe ato për prani të përhershme ushtarake amerikane.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat