Avokati i Gucatit thotë se dëshmitari i ZPS-së po sajon rrëfime për ngjarjet që lidhen me rrjedhjen e dokumenteve

Aktuale

Avokati i Gucatit thotë se dëshmitari i ZPS-së po sajon rrëfime për ngjarjet që lidhen me rrjedhjen e dokumenteve

Më: 4 nëntor 2021 Në ora: 07:10
Hysni Gucati, Nasim Haradinaj

(E plotësuar 15:35) - Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, Miro Jukiq ka thënë se pas rrjedhjes së dokumenteve ka kontaktuar me dëshmitarë që sipas tij ishin të frikësuar. Gjatë dëshmisë së tij, punonjësi i sigurisë në ZPS ka thënë se pas secilës bisedë e ka përpiluar edhe notën zyrtare, por për të njëjtat janë gjetur mospërputhje ne data. Pyetjet e mbrojtjes së Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees kanë qenë lidhur me këtë çështje dhe ai ka vënë në dyshim deklaratat e dëshmitarit duke thënë se ai po sajon rrëfime në mënyrë që të shpjegojë mospërputhjen me data.

Dëshmitari i tretë i ZPS-së, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Miro Jukiq ka thënë se udhëheqës i ekipit për siguri dhe trajtim të dëshmitarëve deri në dhjetor të vitit 2020 ishte Martin Godman. Sipas tij, Godman u largua nga ZPS për shkak të BREX-it meqë ishte shtetas i Britanisë së Madhe.

Këtë post e ka marrë pastaj Miro Jukiq, i cili deri atëherë ishte punonjës i sigurisë.

I pyetur pse nuk janë regjistruar në sistem notat zyrtare menjëherë pasi kanë kontaktuar dëshmitarët, Jukiq ka thënë se disa i ka regjistruar më vonë për shkak se ka menduar që të njëjtat i ka vënë në sistem shefi i ti, e në disa raste ka shtuar se nuk ka mundur të dalë në zyrë për shkak të pandemisë.

E krejt këto përgjigje i ka vënë në dyshim avokati Rees.

Avokati Rees: Javën që shkoi thatë se kishte një vonesë sepse nuk ishin në zyrë për shkak të pandemisë, kështu është?

Dëshmitari Jukiq: Po.

Avoakti Rees: Ne ju pamë në zyrë më herët në 27 tetor 2020, apo jo?

Dëshmitari Jukiq: Po.

Avokati Rees: Nëse kjo notë ka datë përpara kësaj date, pse nuk e keni dorëzuar atë datë?

Dëshmitari Jukiq: Gjatë këtij ushtrimi shefi i ekipit na kërkoi që t’i dërgonim nota zyrtare me mjete zyrtare, dhe ai pastaj e kishte për detyrë t’i dorëzonte në sistem.

Avokati Rees: Pra është faji i zotit Godman, këtë po thoni?

Dëshmitari Jukiq: Nuk po them që është faj i tij.

Avokati Rees: Më 15 mars 2021 e identifikove dhe e dërgove në ZaeLab(sistem), po ju pyes përsëri, pse nuk e dërguat përpara datës 27 tetor kur ishit në zyrë duke dorëzuar dokumente pikërisht për këtë çështje.

Dëshmitari Jukiq: Sepse e pash edhe njëherë dosjen, nuk e kontrollova nëse ishte futur në ZaeLab.

Avokati Rees: A të pajtohemi me një gjë se shpjegimi juaj për këtë gjë që ka të bëjë me pandeminë që thoni ishte gënjeshtër në fakt?

Dëshmitari Jukiq: Jo.

Avokati Rees: Ishte gënjeshtër që ju e menduat për të shpjeguar mospërputhjen e datave zotëri Jukiq.

Dëshmitari Jukiq: Jo, nuk është e vërtetë.

Avokati Rees ka përmendur disa nota zyrtare që nga Miro Jukiq ishin vënë në sistem më vonë, ani pse ai kishte qenë në zyrë edhe më herët.

Avoakti Rees: Kalojmë të 22 shtatori, ku e ke atë notën që e ke shkruar menjëherë pas kontaktit që ke pasur më 22 shtator, nuk ke bërë një shënim të tillë.

Dëshmitari Jukiq: Bëra shënime në këtë notë.

Avokati Rees: Po, por kjo është 25 shtator, dua të them që nuk e bëre këtë notë menjëherë pas 22 shtatorit.

Dëshmitari Jukiq: I kisha me vete shënimet në atë kohë.

Avokati Rees: Atëherë ke edhe dokumente të tjera?

Dëshmitari Jukiq: Jo, e kisha fjalën për shënimet me shkrim që kisha mbajtur vet.

Avokati Rees: Ju thoni që ka edhe një dokument tjetër. Zotëri Jukiq, juve po thoni se e keni bërë këtë shënim më 8 shtator, për ngjarjet e 8 dhe 22 shtatorit, tre ditë më pas?

Dëshmitari Jukiq: Po, në 25 shtator.

Avokati Rees: Që ta kuptojmë, ju po thoni që nota zyrtare i bënit menjëherë pas çdo telefoni që keni bërë, tani po thoni që nuk ka ndodhur kështu, është e gabuar?

Dëshmitari Jukiq: Po.

Avokati Rees: Dhe doni që ne të mendojmë që ju i keni bërë punët seriozisht, këtë doni të thoni?

Dëshmitari Jukiq: Jo, nuk pajtohem me këtë.

Avokati Rees: Në shkurt të kanë kërkuar të filloje të hartoje nota të cilat e kuptove se nuk i kishte bërë lidhur me kontaktet e dëshmitarit dhe fillove t’i përgatisje në shkurt dhe në mars, andaj edhe kanë datën disa muaj pas ngjarjeve, kjo është e vërteta?

Dësmitari Jukiq: Nuk është aspak e vërtetë.

Avokati Rees: Pse nuk na thatë javën që shkoi që këto dokumente ja keni dorëzuar Martin Godman-it?

Dëshmitari Jukiq: Askush nuk ma bëri këtë pyetje.

Avokati Rees: Ju kërkua të shpjegoni mospërputhjen e datave dhe ju thatë sepse kjo diferencë në kohë ishte për shkak të ‘lockdown’ dhe nuk lejoheshit të shkonit në zyrë të dorëzonit të gjithë dokumentet?

Dëshmitari Jukiq: Disa prej tyre po, por me siguri kjo është edhe arsyeja pse Martin vet nuk i ka dorëzuar në ZaeLab.

Avokati Rees: Ju keni qenë në zyrë në tetor, në janar dhe në shkurt, pse nuk e keni dorëzuar këtë notë atëherë, nëse kjo që thoni ka ndonjë të vërtetë?

Dëshmitari Jukiq: Ju po vini në dukje dëshminë time?

Avokati Rees: Po, po them se po gënjeni dhe po sajoni lloj-lloj rrëfimesh për të shpjeguar mospërputhjet me data, të cilat unë po ju them se kanë shpjegim të dukshëm se nga shkurti e tutje ju është kërkuar të filloni të përgatisni dokumente dhe keni krijuar dokumente për ngjarje që kanë ndodhur, në fakt muaj përpara, këtë po ju them.

Dëshmitari Jukiq: Kjo është plotësisht e gabuar dhe është një gënjeshtër.

Avokati Rees: Nëse i keni dorëzuar në 20 tetor, pse nuk keni dorëzuar e tjera deri në 28 tetor 2020 kur siç thua ekzistonin ën atë datë?

Dëshmitari Jukiq: Nuk i kam dorëzuar sepse ia kisha dërguar zotit Godman.

Avokati Rees: Nuk i keni dorëzuar se nuk ekzistonin se kjo është e vërteta apo jo.

Dëshmitari Jukiq: Jo nuk është e vërtetë.

Derisa u është përgjigjur pyetjeve të avokatit të Gucatit, dëshmitari ka thënë se ka qenë në Kosovë në shtator të vitit 2020 por sipas tij nuk mban mend datat e këtij udhëtimi.

Avokati Rees e ka pyetur dëshmitarin nëse është në dijeni për praninë e pjesëtarëve të tjerë të ZPS-së në Kosovë, gjatë muajit shtator të vitit 2020 dhe pas kësaj seanca ka vijuar e mbyllur meqë avokati ka thënë se duhet të përmenden emra.

Kroati Miro Jukiq është dëshmitari i tretë ZPS-së në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.

Në kohën e rrjedhjes së dokumenteve ai ka qenë punonjës i sigurisë së dëshmitarëve në ZPS dhe gjatë dëshmisë së tij ka thënë se ka kontaktuar me rreth 30 dëshmitarë.

Sipas tij, dëshmitarët kanë qenë të frikësuar si shkak i publikimit të dokumenteve andaj disa prej tyre i kanë zhvendosur nga Kosova.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. 

Vazhdon gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, dëshmitari e pranon se ishte në Kosovë

Po vazhdon gjykimi në Dhomat e Specializuara të Kosovës ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Në këtë seancë është duke u marrë në pyetje dëshmitari i tretë i ZPS-së, Miro Jukic.

Avokati mbrojtës i Gucatit, Jonatah Rees, e ka pyetur dëshmitarin se a kishte ardhur në Kosovës gjatë shtatorit 2020 dhe sa kishte qëndruar këtu.

Rees: Në shtator të vitit 2020 a keni qenë në Kosovë, gjatë ndonjë momenti në atë muaj?

Dëshmitari: Po.

Rees: A mund të na i thoni datat se kur keni qenë?

Prokurori: Kundërshtoj rëndësinë e këtij detaji specifik, sepse dëshmitari mund të punoj edhe në lidhje me çështje të tjera.

Gjykatësi: Hidhet poshtë kundërshtimi.

Dëshmitari: Nuk i di datat e sakta kur në shtator, por ishte në pjesën e parë të shtatorit.

Rees: A keni qenë në Kosovë në ditët përpara mbajtjes së konferencës së parë, dhe gjatë konferencës së parë në 7 shtator 2020?

Dëshmitari:  Po kam qenë në Kosovë në atë datë.

Rees: Po ditët përpara dhe gjatë konferencës së dytë më 16 shtator?

Dëshmitari: Jo nuk kam qenë në Kosovë në ato data.

Rees: Po në ditët më përpara mbajtjes së konferencës së tretë më 22 shtator dhe gjatë konferencës?

Dëshmitari: Jo nuk kam qenë në Kosovë në ato data.

Ish-krerët e OVL-UÇK akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

***

Ka nisur seanca e gjykimit ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë, ku do të dëgjohet dëshmitari i tretë.

​Vazhdon gjykimi ndaj ish-krerëve të OVL-UÇK

Gjykimi ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt do të vazhdojë sot në ora 09:30 në Dhomat e Specializuara në Hagë me dëgjimin e dëshmitarit të tretë në këtë proces gjyqësor.

Në gjykimin ndaj Gucatit dhe Haradinajt, i cili ka filluar më 7 tetor 2021, deri tani e kanë përfunduar dëshminë e tyre dy dëshmitarë, ndërsa sot më 4 nëntor do të dëgjohet dëshmitari i tretë i cili do të përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së ish-krerëve të OVL-UÇK.

Dëshmitari i tretë i ZPS-së është një punonjës sigurie në këtë zyrë i cili tashmë u është përgjigjur pyetjeve të prokurorisë.

Hysni Gucati e Nasim Haradinaj po qëndrojnë në paraburgim në Hagë prej 25 shtatorit të vitit 2020 kur edhe u arrestuan në Prishtinë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat