Ankesa në Kuvend: Shumica e partive nuk i raportojnë shpenzimet në harmoni me ligjet

Aktuale

Ankesa në Kuvend: Shumica e partive nuk i raportojnë shpenzimet në harmoni me ligjet

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 15:39
Foto nga vendi i ngjarjes

Shumica e subjekteve politike nuk i raportojnë shpenzimet në harmoni me ligjet, ani se disa subjekte sipas auditorit kanë shënuar progres në këtë aspekt. Kështu u tha gjatë shqyrtimit të raporteve të auditimit të raporteve vjetore financiare dhe raportet e deklarimit financiar të fushatës, së subjekteve politike, për vitet 2018, 2019 dhe 2020, ani se pati kritika nga deputetët e pozitës dhe opozitës për mënyrën e shpenzimeve nëpër fushata zgjedhore.

Kryetarja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike Hykmete Bajrami tha se shumica e raporteve të audituara janë me opinione të këqija.

Bajrami: Shumica e raporteve janë jashtëzakonisht me opinione të këqija

“Fatkeqësisht nuk ka raporte të auditorit për të cilat ne mund të lavdërohemi shumë. Shumica e raporteve janë jashtëzakonisht me opinione të këqija. E përgëzoj Lëvizjen Vetëvendosje që për 3500 euro e paska raportin e pa modifikuar. Për ndryshe, po e themi që në përgjithësi për të gjitha subjektet politike raportet e opinionit nuk i kemi fare të mira dhe duhet të gjetur formën që subjektet politike të auditohen vit pas vit. Mendoj, se një prej arsyeve që i kemi të gjitha këto të gjetura është pikërisht që nuk ka pasur auditime të subjekteve politike nga viti 2017”, theksoi Bajrami.

Derisa auditori Ymer Shatri nga kompania “Audit&Conto”, që ka kryer këto auditime, ka thënë para deputetëve se për këto tri vjet kanë audituar subjektet politike, ku janë dorëzuar 95 raporte të auditimit. Prej tyre 21 raporte janë të pakualifikuara ose 50 përqind e këtyre raporteve siç tha Shatri shkojnë në mohim të opinionit.

Ani se sipas Shatrit shumica e partive nuk i raportojnë shpenzimet në harmoni, auditori ka treguar se cilat subjekte kanë shënuar progres në raportim.

Shatri: Shumica e partive nuk i raportojnë shpenzimet në harmoni me ligjet

“Partitë politike që kanë bërë progres, janë sidomos PDK-ja, prej një mohim të opinionit, tani ka opinion të pakualifikuar. Ndoshta është subjekti që më së shumti ka bërë përpjekje në këtë drejtim. Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur disa ndryshime me stafin financiar, edhe me këtë subjekt jemi të kënaqur. Me partinë e madhe tjetër, nuk jemi aq të kënaqur për arsye se janë të njëjtat vërejtje. Edhe AAK ka bërë (përparim), kur e ka parë që ne... Shumë kanë menduar që neve mund ta ‘lidhin’ se jemi të afërt me atë parti apo më këtë, por neve nuk na e ‘ndien’ për asnjërën hiç. (AAK) e vetmja parti është që në vitin 2020 ka siguruar kontabilist të certifikuar, që nuk e ka bërë asnjë parti tjetër… Shumica e zyrtarëve financiarë nëpër parti politike nuk kanë lidhje me kontabilitetin dhe me raportimin financiar. Jemi të zhgënjyer se kjo vërejtje është vit pas viti… Shumica e partive nuk raportojnë shpenzimet në harmoni me ligjet. Subjektet politike, çka është një numër shumë i madh, janë qiramarrës, edhe nuk e respektojnë ligjin e ATK-së që duhet ndalur 9 përqind tatimin në burim. Subjektet politike të vogla lëre që nuk e zbatojnë këtë, por as tatimin në paga. Kjo është për keqardhje, qe disa vite që as tatimin në paga nuk e kanë bërë. Kur t’iu hyn ATK-ja, do t’i sakatojë”, tha Shatri.

Diskutime dhe kritika në këtë komision pati për subjektet e mëdha politike, të cilat nuk kanë pasqyruar drejt shpenzimet.

Vetëvendosje, ani se ka dërguar me vonesë raportin e shpenzimeve për katër komunat veriore ku kishin marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme, ka raportuar vetëm 3500 euro shpenzime.

Deputeti nga VV-ja, Eman Rrahmani, tha se nuk ka mundësi që mos të ketë pasur asnjë shpenzim nga LDK-ja për zgjedhjet 2020 në Podujevë.

Rrahmani: Nuk ka mundësi mos me pasur asnjë shpenzim nga LDK-ja për zgjedhjet 2020

“Qysh ka mundësi mos të raportohet asnjë shpenzim për një zgjedhje për kryetar të komunës, kur ne e dimë çfarë fushatë ka pasur atje…(59) Fjala që bëhet për auditimin, është vetëm për zgjedhjet në veri që vlera totale e shpenzimeve është 3500 euro dhe auditimi është bërë vetëm për atë komunë, dhe jo për katër komunat që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Pra, ajo është vetëm për Mitrovicën e Veriut”, tha Rrahmani.

Po kështu, deputeti Rrahmani duke kritikuar mendimin e auditorit për progresin e PDK-së lidhur me raportimin e shpenzimeve, tha se është absurde se si PDK-ja ka prezantuar zero shpenzime në zgjedhjet për transport më 2019.

Rrahmani: Qysh është e mundur që PDK pati zero shpenzime për transport në zgjedhje?

“Në zgjedhjet e vitit 2019, PDK-ja ka deklaruar zero euro shpenzime për transport. S’po besoj që krejt fushatën në këmbë kanë ecur dhe s’kanë udhëtuar me asnjë veturë. Për këtë metodë ndoshta na tregon kolegu Beqaj qysh ta përfitojmë edhe në këtë aftësi që të kemi zero euro të transportit. 200 euro telefon, 3 mijë euro shpenzime të ushqimit. 3 mijë euro kushton vetëm për ditën e zgjedhjeve ushqim për komisionarët dhe për vëzhguesit”, tha Rrahmani.

Ndaj deklaratave të deputetit Rrahmani, ka reaguar ashpër deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili theksoi se pasqyrat e prezantuara nga VV-ja për shpenzimet në veri gjatë zgjedhjeve janë qesharake dhe të pasakta.

Beqaj: 3 mijë euro VV-së në veri për zgjedhje i kanë shkuar vetëm për bukë

“Unë nuk u lëshova tek shpenzimet e subjekteve politike, dhe po ashtu nuk u ndala tek pjesa e pjesëmarrjes së juaj me 3500 euro për një komunë. 3 mijë euro shkojnë vetëm për bukë në ditën e zgjedhjeve, atëherë nuk e di çka keni mundur me bërë me 500 euro të tjera për veriun. Ne nuk po ndalim për të tjera, se ju edhe në Shqipëri, por nuk dua me u ndal në këtë temë. Nuk jemi të kënaqur me funksionimin e administratave të partive politike, ne kemi bërë avancim si PDK, por jemi në agjendë që të kemi një administratë shumë efikase. Sa i përket mjeteve të shpenzuara ju VV-ja, veç në Ferizaj, të shikoni nuk iu mbulon raporti i tri viteve, por s’ju kanë bërë punë mjetet. Unë flas çka dua, jam deputet i Kuvendit… E shoh prej fillimit je tendencioz, një herë thua për Podujevën, asnjë herë nuk ndale tek vërejtjet që i ka subjekti i juaj”, tha ai.

Ndryshe, auditori Ymer Shatri në këtë mbledhje ngriti edhe çështjen e mosraportimit për të hyrat e grupeve parlamentare. Derisa, një prej rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrje Financiare ishte që Zyra Kombëtare e Autimit duhet të auditojë raportet financiare të subjekteve politike, pasi që kjo u konsiderua si konflikt interesi të bëhet nga komisioni në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat