Klinaku tregon si do të veprojnë në rast se ju vijnë dokumente të Speciales

Aktuale

Klinaku tregon si do të veprojnë në rast se ju vijnë dokumente të Speciales

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 17:45
Gjykata Speciale

Faton Klinaku, sekretari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka thënë se nëse në zyrat e tyre do të vijnë prapë dokumente, sikur ato të 2020-ës, ata do të veprojnë njëlloj.

Klinaku ka theksuar se janë në komunikim të vazhdueshëm me të akuzuarit nga Gjykata Speciale që gjenden në paraburgim në Hagë.

“Të njëjta. Qëndrimi jonë është i njëjtë. Natyrisht që në ato urdhëresat që i kanë sjell vazhdimisht tri herë janë urdhëresa që nuk guxoni t’i mbani, nuk guxoni t’i fotokopjoni dhe nuk guxoni t’i publikoni dhe ne nuk dimë se çfarë zgjedhje kemi tjetër. Ne Gjykatën Speciale nuk e njohim dhe ne vetëm e kemi për obligim që ta informojmë publikun në konferenca për gazetarë që janë bërë si gjithmonë për interesin e qytetarëve”, ka thënë ai.

Klinaku theksoi se ai asnjëherë më nuk është kontaktuar nga prokuroria në Hagë lidhur me çështjen për të cilën po akuzohen Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

“Nuk më kanë kontaktuar dhe për këtë çështje janë çuditur edhe avokatët mbrojtës të Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt se pse ata nuk më kanë kontaktuar dhe nuk kanë bërë as hetim përveç kohës së arrestimeve me 25 shtator 2020”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat