Tahiri i LDK-së flet për koalicionin me VV-në

Aktuale

Tahiri i LDK-së flet për koalicionin me VV-në

Më: 5 nëntor 2021 Në ora: 18:57
Xhafer Tahiri

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës pë kryetar të komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri ka folur për një koalicion të mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 nëntorit.

Ai nuk e konsideroi si të pamundur një koalicion të tillë.

“Aleanca jonë më e rëndsishme është ajo me qytetarët e Vushtrrisë, por ne jemi të gatshëm edhe për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, nëse ka vullnet me nga të dyja palët. Ne i kemi bërë ofertën tonë dhe po presim përgjigje edhe nga Vetëvendosja edhe nga subjektet e tjera politike”, u shpreh Tahiri.

Tahiri tha se synimi i tij është që qytetarëve të Vushtrrisë t’iu ofrojë një qeverisje cilësore.

“Puna jonë, angazhimi jonë do të jetë që në raundin e dytë gjithë angazhimi të kurorëzohet me një fitore dhe me vazhdimin e kësaj qeverisje të mirë. Do të vazhdojmë të punojmë me përulësi dhe me krenari për çka kemi punuar deri më tani dhe për planin që e kemi për mandatin e ardhshëm qeverisës. Synimi jonë nuk është pushteti, por që të ofrojmë një qeverisje cilësore për qytetarët e Vushtrrisë”, tha kandidati i LDK-së.

Ai tha se në qendër të programit qeverisës e kanë punësimin e grave dhe të rinjve.

“Në qendër të programit tonë qeverisës e kemi punësimin e grave, të rinjve dhe zhvillimin e qytetit të Vushtrrisë. Në planin tonë kemi parashikuar masa konkrete të qeverisjes komunale që nxisin dhe krijojnë vende të reja të punës për gratë dhe për të rinjtë”, tha Tahiri.

Kandidati i LDK-së theksoi se synimi i tyre kryesor është krijimi i vendeve të punës për gratë 40 deri në 65 vjeçare.

“Synimi jonë është sidomos gratë që kanë kaluar moshën 40 vjeçare, deri në moshën 65 vjeçare do të kemi një fokus të veçantë tek këto gra, për shkak se shumica prej tyre, pa fajin e tyre kanë mbetur pa një profesion, pa një mundësi për të ardhur tek vendi i punës dhe kjo është e padrejtë që komuna të mos bëjë asgjë për këtë kategori të grave, që të kenë mundësi nëse duan të punojnë”, tha ai.

Tutje, Tahiri tha se gjëja e parë që do të bëjnë është subvencionimi i pagës për bizneset që krijojnë vende pune për gratë dhe të rinjtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat