Arben Vitia tregon a do të bëjë koalicion në Prishtinë

Aktuale

Arben Vitia tregon a do të bëjë koalicion në Prishtinë

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 00:13
Arben Vitia

Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, është optimist se do të udhëheq me Prishtinën pas 14 nëntorit.

Vitia është kundër koalicioneve parazgjedhore por është i hapur, siç tha, për realizimin e planeve të mira të partive të tjera.

“Qytetari i Prishtinës çfarë që të vendos unë mendoj se do të vendos më të mirën që është e mundshme si qytetar i emancipuar”, thotë Vitia.

“Me kismet po por pa hizmet nuk ka”, shtoi ai kur u pyet nëse do të udhëheq me kryeqytetin.

“Këto javë ne i kemi shfrytëzuar maksimalisht që të takojmë mijëra qytetarë anë e kënd Prishtinës, shumë grupe interesi, mjekë, artistë, mësimdhënës dhe mendoj se ka qenë një punë nga mëngjesi deri në mbrëmje e cila do të shpërblehet edhe në rezultatin përfundimtar por prapë po them se kjo i mbetet qytetarit të Prishtinës që në fund me votën demokratike e me emancipimin që e tregoi më 17 tetor ta tregojë edhe me 14 nëntor”, tha Vitia.

Ish-ministri i Shëndetësisë ka treguar nëse do të bëjë koalicione me partitë tjera.

“Takime nuk kam ka pasur. Ajo që mendoj se duhet bërë sado klishe që duket, koalicion në një anë me qytetarët por në anën tjetër mendoj se është e rëndësishme që qasja ime do të jetë shumë e hapur për të gjitha subjektet politike”, theksoi ai.

“S’do të ketë koalicione parazgjedhore. Për këtë vendos Këshilli i Përgjithshëm i VV-së por edhe mendimi im është kundër koalicioneve zgjedhore”, tha Vitia.

Ndërkohë Vitia ka shpjeguar se pse nuk fitoi në rundin e parë.

“Më dha një shans të dytë që gjatë kësaj kohe të jem më prezentë dhe të ju prezantoj programin”, thotë Vitia.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat