Kurti në Gjilan: Alban Hyseni e ka mbështetjen time të plotë

Aktuale

Kurti në Gjilan: Alban Hyseni e ka mbështetjen time të plotë

Më: 9 nëntor 2021 Në ora: 19:21
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, njëherësh kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka premtuar mbështetje të plotë kandidatit të kësaj partie për kryetar të Gjilanit Alban Hyseni.

Kurti gjatë një takimi me qytetarët e Gjilanit, teksa ka kërkuar mbështetje për kandidatin e LVV-së për kryetar të kësaj komune, tha se po u ofrojnë qytetarëve zgjidhjen e duhur për kryetar komune.

“Albani e ka mbështetjen e plotë timen si kryetar i Lëvizjes, si kryeministër i Republikës dhe gjithë organizatës së Vetëvendosjes… Pra, që të gjithë jemi pranë e bashkë me Albanin, po për Gjilanin. Gjilani është në pyetje, jo Albani, Albani është i sigurt, Gjilani është në pyetje e ne besojmë që Albani është përgjigja”, tha Kurti.

Kurti tha se kandidati i tyre për Gjilanin e ka dijen, ndershmërinë dhe guximin për të qeverisur mirë për qytetarët e Gjilanit.

“Shumë punë të mbara e të mira do të mund t’i bëjë kryetari i ri me buxhetin e komunës, por ka edhe të atilla për të cilat i nevojitet buxheti i shtetit. Këtu nuk e kam fjalën vetëm për grantin e katërt të cilin do të mund ta orientojë kryetari vet, por gjithashtu edhe projektet infrastrukturore prej autoudhës, stadiumit e kështu me radhë, për të cilat nevojitet mbështetja e qeverisë së Republikës së Kosovës. Besimi im tek Albani është i plotë, andaj e tillë, e parezervë e plotë do të jetë edhe mbështetja e qeverisë për të”, tha ai.

Kurti para gjilanasve përmendi edhe vendimet e fundit që ka marrë Qeveria e udhëhequr nga ai, si shtesat për fëmijët, rritja e pensioneve, ndarja e bursave për nxënësit e shkollimi pa pagesë në universitet.

Ndërkaq, kandidati i LVV-së për kryetar të Gjilanit, Alban Hyseni, tha se është programi qeverisës i LVV arsyeja pse do të triumfojnë në Gjilan.

“Jam i bindur që programi ynë për të qeverisur i hartuar nga Lëvizja, nga ju vet është ajo arsyeja kryesore pse ne do të fitojmë në Gjilan. Pra, nuk ka se si të fitojmë përderisa kemi punuar bashkë dhe jemi përgatitur bashkë dhe bashkë do të qeverisim…Ne kemi dalë fitues në raundin e parë, ndërsa katër vetitë kryesore pse kemi fituar dhe që do të fitojmë janë shumë të thjeshta, është modestia dhe thjeshtësia jonë në qasjen me qytetarët, në të njëjtën kohë është vendosmëria dhe guximi jonë për të qeverisur për komunën”, tha Hyseni.

Ai u shpreh i bindur se LVV do të triumfojë në zgjedhjet e 14 nëntorit, derisa tha se nuk ka asnjë dyshim që qeverisja e tyre në Gjilan do të jetë e suksesshme.

Mbështetje për kandidatin e LVV-së për kryetar të Gjilanit ka kërkuar edhe ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, e cila tha se Gjilani ka mundësinë për të pasur një kryetar që punon për të mirën e qytetarëve të komunës.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, bashkë me kandidatin e LVV-së për kryetar të Gjilanit Alban Hyseni, gjatë ditës kanë zhvilluar edhe takime të tjera me qytetarët ku kanë shpalosur programin qeverisës

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat