Sekretari i përkohshëm i FFK-së shkel statutin, del në përkrahje të kandidatit të PDK-së

Aktuale

Sekretari i përkohshëm i FFK-së shkel statutin, del në përkrahje të kandidatit të PDK-së

Më: 12 nëntor 2021 Në ora: 16:00
Taulant Hodaj

Në një kohë kur janë rritur pakënaqësitë e tifozëve për ecurinë e kombëtares së futbollit dhe zhvillimit të futbollit në vend, ushtruesi i detyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Kosovës në Futboll është përfshirë në zgjedhjet lokale.

Taulant Hodaj, i cili ushtron detyrën e Sekretarit të Federatës së Futbollit, nuk ka hezituar të përzihet në llogaritë e zgjedhjeve lokale që do të mbahen të dielën. Ka dal në përkrahje të kandidatit të Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totajt.

Në këtë avaz, Hodaj thyen Statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës. Statuti, në dispozitat e përgjithshme të saj, thekson qartësisht neutralitetin e FFK-së në çështjet politike.

“FFK-ja eshtë neutrale në çështjet e politikës, fesë dhe ndalon çdo formë të diskriminit politik”, thuhet në nenin 1, pika 2, të Dispozitave të Përgjithshme të Statutit të FFK-së.

Në një shkrim që ka publikuar në profilin e tij në Facebook të premten, Hodaj doli hapur në mbështetje të Shaqir Totajt, kandidatit të PDK-së në Komunën e Prizrenit.

Njeriu që ushtron detyrën e sekretarit në FFK, hedh akuza të rënda për “probleme, skandale, inate dhe militantizëm” ndaj kryetarit aktual, Mytaher Haskukës së LVV-së, kundërkandidatit të Shaqir Totajt.

“Qeverisja e Haskukës në këto katër vite kishte shumë probleme, skandale, inate, militantizëm, jo-profesinalizëm, dështim, dhe pa vizion për zhvillimin e Prizrenit, prandaj, në këto zgjedhje për Kryetar të Komunës së Prizrenit unë jam për ta zgjedhur z. Totaj, për Kryetar të Prizrenit”, tha Hodaj.

Hodaj, megjithatë ka refuzuar ta cilësojë si mbajtje anë në çështje politike statusin që e shkroi të premten në Facebook, në një bisedë telefonike ka thënë se komenti i tij është publikuar në cilësinë e një qytetari të Republikës së Kosovës.

“Unë jam ushtrues detyre i Sekretarit të Përgjithshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës. Pra, jam përkohësisht aty, sepse kështu jam i angazhuar si avokat i Federatës së Futbollit të Kosovës”, tha ai.

“Postimi nuk konsideroj se mban anë politike; e kam bërë si qytetar i thjeshtë”, u shpreh Hodaj.

Sekretari gjeneral është shef ekzekutiv i Sekretariatit të përgjithshëm në FFK dhe është organi më i lartë operativ në FFK.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat